Një ditë më parë, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kërcënoi kompanitë e transportit publik me heqje license, nëse ata nuk do të rifillojnë punën, duke pohuar se ai e mban fjalën.
“Ky është paralajmërimi i fundit, nëse operatorët nuk dalin brenda kësaj jave, humbasin licensën dhe atë vjen e merr një operator tjetër që ju siguroj që nuk mungojnë. Ky është paralajmërimi i parë dhe i fundit, dhe nëse nuk kemi një reagim brenda kësaj jave do humbasin licensat”, tha ai.
Nga ana tjetër, kompanitë e transportit publik kanë refuzuar të rinisin punën që prej 15 qershorit, duke kërkuar mbështetje financiare të shtetit. Sipas tyre, zbatimi i protokolleve të sigurisë, do t’i çonte drejt falimentimit.
Tashmë që bashkia bën thirrje për të filluar punën, Shoqata e Transportit heziton, pasi me protokollin që është vënë në dispozicion, ata thonë se nuk iu del dhe madje dalin me humbje.
“Unioni i Shoqatave të Transportit publik në Tiranë, nuk pranojnë të dalin në punë pa u ndryshuar protokolli.
Pas takimit të zhvilluar mes tyre pa pranine e mediave, është dalë në përfundimin se operatorët e kanë të pamundur të dalin dhe të zbatojnë protokollin.
Sa i takon heqjes së licensave, ata besojnë se nuk do t’ju hiqet pasi janë tatimpagues të rregullt prej kohesh, dhe sipas tyre nuk janë aq te parëndësishëm për strukturat ekonomike dhe te shërbimeve qytetare”, thonë Shoqatat e Transportit në Tiranë.