Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është prononcuar në lidhje me takimin e shumëpërfolur të 27 qershorit që do të zhvillohet në Washington, në kuadër të dialogut me Serbinë.
Në një prononcim për mediat, Thaçi tha se ky takim shënon një kthesë historike, dhe mundësi të artë në arritjen e paqes.
Po kështu ai ka vendosur pikat mbi ‘i’, duke nënvizuar se delegacioni shtetëror i Kosovës, njësoj si në të kaluarën edhe tani shkon i përgatitur për të përfaqësuar denjësisht integritetin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Takimin e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë e konsiderojmë si kthesë historike dhe mundësi të papërsëritshme për arritjen e paqes.
Delegacioni shtetëror i Kosovës, njësoj si në të kaluarën edhe tani shkon i përgatitur për të përfaqësuar denjësisht integritetin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Njëlloj si në të kaluarën, Kosova do të jetë në anën e duhur të historisë.
Vendi ynë është i bekuar me përkrahjen e SHBA-ve, dhe Kosova do të punojë për të bërë marrëveshje paqësore dhe historike, dhe për ta mbyllur kapitullin e armiqësisë shekullore me Serbinë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ndër të tjera, presidenti ka theksuar se kjo marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të marrëdhënieve, anëtarësim në OKB, NATO e BE.