Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbështetur kërkesën e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa për formimin e Qeverisë së re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën për Kosovën e Re dhe partitë që përfaqësojnë pakicat.
Kjo është bërë e ditur përmes një shkrimi të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, të bërë në faqen zyrtare të LDK-së në Facebook.
“Në bazë të kësaj, si kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në postim.
Pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, duke u thirrur në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka zhvilluar takime të ndara me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend.
Presidenti Thaçi, i është drejtuar me anë të dy letrave kryeministrit në detyrë të Qeverisë njëherë kryetarit të VV-së, Albin Kurti duke i kërkuar emrin për mandatarin e ri, por nuk ka marrë ende përgjigje lidhur me mandatarin.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është duke vazhduar punën e qeverisë në detyrë duke i dhënë përparësi angazhimit dhe menaxhimit të gjendjes së pandemisë së koronavirusit. /Rel