Kur Presidenti Trump e përmendi për herë të parë koronavirusin, mund të ketë qenë vonë në reagimin e duhur.
Në një intervistë gjatë takimeve të Davosit, më 22 janar, presidenti nuk i kushtoi rendësi virusit që kishte goditur Kinën, ndërkohë që një rast i vetëm ishte identifikuar në SHBA.
“E kemi plotësisht nën kontroll. Vetëm një individ që ka ardhur nga Kina, e kemi nën kontroll. Gjithçka do të shkojë mirë”.
Në 11 javët që kanë kaluar që nga ajo intervistë, koronavirusi është shfaqur në çdo cep të botës, ka infektuar mbi 550 mijë amerikanë dhe ka shkaktuar vdekjen e të paktën 22 mijë prej tyre. Si rezultat i epidemisë, janë vënë në zbatim izolime në masë, janë mbyllur shkolla e biznese, është goditur rëndë ekonomia duke lënë miliona vetë pa punë.
Kur Presidenti Trump u intervistua në Zvicër, kishte disa javë që ishin ngritur shqetësime. Në muajt në vazhdim, para se presidenti të fliste për krizën në Shtëpinë e Bardhë, nuk u shfrytëzua mundësia për të marrë masa për të mbrojtur vendin në kohë.
Nuk u krijuan rezerva me pajisje të domosdoshme mjekësore. Udhëtimet vazhduan në masë të madhe të pakufizuara. Nuk u mblodhën të dhëna nga Kina: Pekini nuk i ofronte dhe nga ana tjetër konsideroheshin të pavlefshme. Konfliktet e brendshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ndryshimi i vazhdueshëm i zyrtarëve e bëri reagimin edhe më të ngadaltë.
Paralajmërimet u injoruan nga presidenti, i cili ishte i preokupuar me komentet pas përpjekjeve për largimin e tij nga posti dhe tek synimet për të mbrojtur ekonominë, të cilën e konsideronte si garancinë kryesore për rizgjedhje.
20 zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm si dhe republikanë me lidhje të forta me Shtëpinë e Bardhë dhanë intervista për raportimin investigativ të agjencisë Associated Press, lidhur me reagimin para fjalimit të Presidentit Trump më 26 shkurt. Shumë prej tyre folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të jepnin komente zyrtare.
“PNEUMONI MISTERIOZE”
Më 31 dhjetor, Kina informoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë për një “pneumoni misterioze” që ishte shfaqur dhe po përhapej në Wuhan, një qytet me 11 milion banorë.
Qeveria mbylli tregun e peshkut, ku ishte shfaqur epidemia fillimisht. Pacientët u vendosën në një spital të veçantë dhe u mblodhën mostra për t’u analizuar nga laboratorët qeveritarë. Mjekët u urdhëruan të mos komentojnë. Një mjek që foli haptazi përmes internetit, u ndëshkua. Ai vdiq më pas nga COVID-19.
Pentagoni mësoi për herë të parë mbi shfaqjen e koronavirusit në dhjetor nga lajmet që vinin nga Kina. Në fillim të janarit, paralajmërimet për virusin kishin filluar të shfaqeshin në raportet e agjencive të zbulimit.
Më 3 janar, kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Robert Redfield, mori paralajmërim zyrtar përmes një telefonate nga homologu i tij kinez.
Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infective, u njoftua në të njëjtën kohë për kërcënimin.
Zyrtarë të zbulimit dhe shëndetit publik filluan të shfaqin dyshim që Kina po raportonte me vërtetësi numrin e të vdekurve dhe të infektuarve.
Ata kërkuan nga Kina qasje për epidemiologët amerikanë, si për të ndihmuar, ashtu edhe për të analizuar nga afër situatën në mënyrë që të parandalonin problemin në SHBA.
Zyrtarët amerikanë i kërkuan Kinës mostra të virusit që të studioheshin nga laboratorët amerikanë për të zhvilluar vaksina e teste.
Më 11 janar Kina dërgoi sekuencën gjenetike të virusit.
Po atë ditë, Instituti Kombëtar i Shëndetit filloi punën për të identifikuar një vaksinë.
Më në fund, Shtetet e Bashkuara arritën të sigurojnë miratim nga Kina që dy specialistë amerikanë të dërgoheshin me një ekip të OBSH në Kinë në fund të muajit. Por deri në atë moment, javë të tëra të vyera për të luftuar epideminë ishin humbur, ndërkohë që virusi përhapej në Azi dhe kishte filluar të mbërrinte edhe në pjesë të tjera të globit.
GJETJA E BALANCËS
Në pjesën më të madhe të janarit, zyrtarët po përpiqeshin të gjenin një balancë delikate. Në qarqe të brendshme ata po u binin këmbanave të alarmit për nevojën që specialistë amerikanë të analizonin situatën në Kinë. Nga ana tjetër, publikisht flisnin me tone optimiste duke lavdëruar Pekinin që kishte lejuar specialistët amerikanë në Kinë.
Matthew Pottinger, ndihmës këshilltar i presidentit për sigurinë kombëtare, këmbëngulte se nevojitej reagim më agresiv për të kërkuar informacion nga Kina dhe për të dërguar atje ekipe shkencëtarësh.
Megjithëse kërcënimi përfshihej në një numër raportesh për informimin e presidentit të përgatitura nga agjencitë e zbulimit, zoti Trump nuk u informua plotësisht për kërcënimin deri kur Sekretari i Shëndetit Alex Azar më 18 janar kontaktoi presidentin ndërkohë që ai ishte në rezidencën e pushimeve në Florida.
Presidenti donte të fliste për produktet e duhanit përmes vaping, pasi po analizonte një urdhëresë të re për të kufizuar përdorimin e tyre. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë besojnë tani se presidenti nuk e kuptonte plotësisht se çfarë kërcënimi po afrohej, pjesërisht pasi Sekretari Azar, i cili në atë kohë kishte konflikte me një numër zyrtarësh të administratës, nuk arriti ta komunikonte qartë këtë rrezik.
Sekretari Azar po përpiqej të ruante një balancë të vështirë: të mos i kundërvihej direkt komenteve optimiste të presidentit dhe nevojës për të përgatitur qeverinë për rrezikun: “Kërcënimi ndaj Amerikës është i ulët për momentin. Por kjo mund të ndryshojë shumë shpejt,” tha zoti Azar në atë kohë në një seancë për informimin e ligjvënësve.
Presidenti ishte në atë kohë në mes të procesit në Senat për largimin e tij të mundshëm nga posti. Zoti Trump ishte plotësisht i preokupuar nga procesi gjyqësor në Senat, duke folur në çdo koment publik kundër demokratëve, apo duke u ankuar për padrejtësi në bisedat me këshilltarët larg syve të publikut.
Po ashtu, Presidenti Trump nuk donte të ushtronte presion ndaj Presidentit kinez, Xi Jinping, me të cilin po punonte për të zgjidhur konfliktet tregtare, shumë të nevojshme për mbarëvajten e ekonomisë, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet presidenciale.
Kur presidenti iu përgjigj për herë të parë një pyetjeje për koronavirusin në Davos, ai foli me lëvdata entuziaste për Presidentin Xi dhe përgjigjen e Kinës ndaj situatës, duke kapërcyer reagimin e matur që kishn përgatitur ndihmësit e tij.
KONFLIKTET E BRENDSHME
Në rrethin e brendshëm të stafit të presidentit kishte kaos dhe paqartësi.
Në fund të janarit, shefi i personelit në detyrë, Mick Mulvaney pritej t’i kishte ditët të numëruara. Ai ishte në grupin fillestar të punës kundër koronavirusit, ku mbizotëronin konfliket dhe rivalitetet. Ndërkohë, Zyra e presidentit për Menaxhimin dhe Buxhetin po konkurronte me Departamentin e Shëndetit për fonde kundër virusit.
Departamenti i Shëndetit donte t’i kërkonte Kongresit fonde speciale për të luftuar virusin, por Zyra për Buxhetin këmbëngulte se departamenti duhet të përdorte 250 milionë dollarë të buxhetit ekzistues duke i zhvendosur nga synimi fillestar dhe t’i përdorte tani për të blerë pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor. Departamenti këmbëngulte se mund të blinte maska, aspiratorë apo veshje mbrojtëse pa autorizim nga Kongresi.
Kongresi miratoi fillimisht 8 miliardë dollarë për pajisje, një ndër tre paketat stimuluese në përgjigje të epidemisë.
Ndërkohë që vazhdonin konfliktet mes dy autoriteteve federale, askush brenda rrethit të ngushtë të presidentit nuk po e nxiste zotin Trump për veprim.
Presidenti mbante rrotull vetes individë besnikë, të paktë ishin ata që mund ta bindnin presidentit të ndryshonte opinion për situatën. Në mes të janarit, në Shtëpinë e Bardhë po zhvilloheshin mbledhje që kishin në tematikë koronavirusin, por përqendroheshin tek nevoja për të nxjerrë nga Kina punonjësit e qeverisë amerikane, pa i kushtuar rendësi kërcënimit që i kanosej vetë SHBA nga epidemia.
Më 29 janar, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Peter Navarro parashikoi me saktësi disa nga sfidat me të cilat do të ndesheshin Shtetet e Bashkuara nëse plaste epidemia.
Ai nuk ishte zyrtari i parë që theksonte rrezikun. Por ashtu si Matthew Pottinger, ndihmës këshilltar i presidentit për sigurinë kombëtare, zoti Navarro shihej në Shtëpinë e Bardhë si reagim i zyrtarëve që e shohin negativisht bashkëpunimin me Kinën.
Shqetësimet e tyre u hodhën poshtë nga zyrtarë të tjerë të administratës, të cilët nuk informuan presidentin.
Më 30 janar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli virusin një kërcënim global, ndërkohë që presidenti zhvillonte tubim para një salle të mbushur me përkrahës në Ajova. Të nesërmen, administrata Trump ndaloi futjen në ShBA të shtetasve të huaj që brenda 14 ditëve të mëparshme kishin qenë në Kinë. Kufizimet preknin edhe familjarë të shtetasve amerikanë dhe të personave që kishin leje të përhershme qëndrimi në SHBA.
Presidenti e prezantoi si një reagim të guximshëm, megjithëse vazhdonte të nënvlerësonte kërcënimin në komentet e tij. Megjithë kufizimet, afro 40 mijë vetë kanë mbërritur në SHBA në avionë që niseshin direkt nga Kina që nga ajo ditë, sipas një analize të së përditshmes The New York Times.
“JEMI SHUMË, SHUMË TË PËRGATITUR”
Më 10 shkurt, Presidenti Trump doli para mijëra përkrahësve në Nju Hempshër dhe deklaroi “Në prill, e dini, në teori, zhduket si për mrekulli”.
Turma brohoriti duke mbështetur deklaratën e presidentit që nuk gëzon baza shkencore.
Senati kishte liruar presidentin nga akuzat dhe tani ai i kishte përqëndruar forcat tek rizgjedhja në nëntor, ndërkohë që zyrtarët e administratës kishin filluar të përqendroheshin tek virusi.
Zyrtarët federalë e monopolizuan detyrën për të zhvilluar paketat e testeve për virusin në duart e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, duke përjashtuar nga këto përpjekje kompanitë private, gjë që ngadalësoi përgatitjen për identifikimin e rasteve.
Paketat e para të testeve të zhvilluara nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dolën difektoze.
Presidenti Trump shpenzoi disa javë duke ndryshuar zyrtarët dhe agjencitë që do të merrnin në dorë koordinimin e përgjigjes kundër koronavirusit. Ai emëroi Sekretarin Azar në krye të ekipit të Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, më pas, në fund të shkurtit, e zëvendësoi atë me Nënpresidentin Mike Pence. Ndërkohë që virusi vazhdonte të përhapej në mbarë botën, individë me peshë në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë dhëndrin e presidentit dhe këshilltar i tij i afërt, Jared Kushner dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, i bënë thirrje presidentit të mos merrte masa radikale që do të trondisnin tregjet financiare.
Presidenti e kishte lidhur fatin e tij politik me ekonominë, me bursën.
Vetëm kur çmimet e aksioneve ranë ndjeshëm presidenti reagoi me forcë. Në fund të shkurtit, gjatë vizitës së presidentit në Indi, indeksi i bursës amerikane Dow Jones pësoi rënie të konsiderueshme ndërkohë që përhapej frika nga koronavirusi.
Presidenti dukej qartë i acaruar nga kjo rënie dhe gjatë udhëtimit për në SHBA më 26 shkurt reagoi ndaj komenteve të një zyrtareje të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Dr. Nancy Messonnier, e cila një ditë më parë kishte paralajmëruar amerikanët se duhet të përgatiteshin për distancim social dhe izolim mjaft të rëndë.
“Nuk bëhet fjalë nëse një gjë e tillë do të ndodhë, por kur do të ndodhë,” tha ekspertja.
Atë natë Presidenti Trump doli para amerikanëve me një konferencë për shtyp. Që nga ajo ditë, ajo ka zhvilluar konferenca të përditshme për shtyp.
Kur zhvilloi konferencën e parë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, Shtetet e Bashkuara kishin 15 pacientë të konfirmuar me koronavirus.
“Jemi në një nivel shumë të ulët; duam të vazhdojmë ta mbajmë kështu,” tha presidenti.
“Jemi shumë, shumë të përgatitur”. /Voa