Në një lidhje direkte për emisionin “Zonë e Lirë”, kryeministri Rama zbuloi skenarin shokues të Shqipërisë, nëse nuk do të ishin marrë masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Sipas tij, pa masat mbrojtëse, Shqipëria do numëronte 18 mijë të vdekur. Rama u shpreh më tej se ky virus mund të ndryshojë natyrë. Pas konsultave edhe me ekspertë, kreu i qeverisë solli në fokus problemin e COVID-19, që me gjasë edhe mund të ketë një rikthim të fortë.
Ai e shpjegoi mjaft qartë, duke shuar kureshtjen e qytetarëve se nëse ia dalim me sukses, gjatë vjeshtës a do ketë një rikthim. Rama tha se ekzistojnë të dy alternativat, që rikthimi të jetë i dobët ose më i fortë. Referuar situatës dhe nëse kemi kapacitetet e duhura për të përballuar një fluks pacientësh të infektuar, kryeministri zbuloi se spitalet private kanë ofruar ndihmën e tyre.
“Në këtë moment, nuk kemi nevojë për ndihmë. Spitalet private kanë ofruar ndihmën që më herët, dhe janë pjesë e strategjisë në rast se lind nevoja. Testet bëhen në laborator të çertifikuar, në laborator të organizatave ndërkombëtare.
Në këtë fazë, nuk e kemi të nevojshme. E para, ajo që thash, strategjia dhe kapaciteti ynë për të ndjekur dhe hetuar zinxhirin e infektimit.
Në Shkodër është kapur gjithë zinxhiri i infektimit, dhe të gjithë personat janë të vetëkarantinuar, janë të përgjegjshëm dhe hetohen kontaktet e tyre.
Ne jemi më përpara se sa të tjerët në kohë, e morëm nga Italia direkt. Gjërat deri tani, mos të marrim mësysh.
Kemi shumë pak të vdekur në krahasim se ç’do kishim, se jemi mbrojtur shumë shpejt. Të tjerët po të mos ishin mbrojtur, do ishin zënë rrugët nga të vdekur.
Projeksioni i Shqipërisë pa mbrojtje, do ishte 18 mijë të vdekur. E kam parë edhe të publikuar nga të tjerë ekspertë. Ky virus ka dhe një problem të madh, nuk di si t’i dilet përpara, se mund të ndryshojë natyrë.
Rikthimi i tij në vjeshtë, një mundësi është të rikthehet më i dobët, ose më i fortë. Gripi spanjoll goditi fortë në rikthim.
Është komplet e panjohur loja, është një shah që e luan me një alien, jo me një shahist përballë”, tha Rama.