Një doktor i infektuar nga koronavirusi i cili refuzoi urdhrat e vetëizolimit, duke udhëtuar nga Londra në Gjermani është gjetur i vdekur në apartamentin e tij.
Mësohet se doktori gjerman punonte prej kohësh në Britani. Në momentin që ka filluar të shfaqë simptomat e para, ai ka refuzuar karantinën dhe është nisur me avion drejt Berlinit.
Eprorët i kishin thënë 58-vjeçarit që të izolohej, që prej datës 19 mars kur edhe kishte shfaqur simptomat e para. Doktori kishte refuzuar të bënte testin e COVID-19 dhe pas një jave, më datë 25 mars udhëtoi drejt Berlinit.
Ai u gjet i vdekur ditën e sotme në apartamentin e tij në Babelsberg, pasi nuk po iu përgjigjej telefonatave. Analizat e bëra pas vdekjes së tij treguan se 58-vjeçari ishte prekur nga koronavirusi.
Doktori ka shkaktuar alarm, pasi dyshohet se mund të ketë infektuar të tjerë gjatë fluturimit të tij nga Anglia.
“Jam i nevrikosur. Ishte një doktor që i njihte rreziqet dhe përsëri shkon e përzihet me turmat në disa shtete, një njeri që vepronte pa përgjegjshmëri”, tha kryebashkiaku i Potsdam, Mike Schubert, për Berliner Zeitung.