Të frikësuar për koronavirusin, njerëzit anembanë botës kanë përdorur alternativa të ndryshme, me idenë se mund të mos preken nga virusi. Kohët e fundit ka qarkulluar një lajm mbi ngrënien e hudhrave, duke bërë të mundur mos infektimin. Por kjo në fakt është një gjë e gabuar, madje as nuk është vërtetuar nga ekspertët se sa mund të arrihet mbrojtja nga hudhrat.
Teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se duhet kohë që të shpiket vaksina kundër virusit, në “WhatsApp” qarkulloi një mesazh që fliste për kurën kundër koronavirusit. Sipas mesazhit, hudhra mund të kurojë koronavirusin. Mesazhi u shpërnda në “Twitter” nga një përdorues.
“Shpërndajeni ju lutem. Lajm i mirë, koronavirusi mund të shërohet nga një tas me ujë të hudhrave të freskëta të ziera. Mjeku i vjetër kinez ka vërtetuar se është efikase. Shumë pacientë gjithashtu kanë provuar që kjo kurë ka efekt. Tetë thelpinj të copëtuar të hudhrës shtojuni shtatë gota me ujë dhe ziejini. Hani dhe pini ujin të zierë të hudhrës, duke u përmirësuar gjatë natës. I lumtur ta shpërndaj këtë”, shkruhej në mesazh.
Rrjetet sociale janë të mbushura me postime, sipas të cilave, konsumimi i hudhrës parandalon infeksionin. OBSH-ja thotë se është vërtet një ushqim i shëndetshëm, me disa aftësi anti-mikrobiale, por nuk mbron nga virusi i ri. ‘South China Morning Post’ solli historinë e një gruaje që u shtrua në spital, me inflamacion të rëndë të fytit, pasi kishte konsumuar 1.5 kg hudhra.