Me kërkesën e 41 deputetëve nga partitë opozitare, Kuvendi i Kosovës po zhvillon të hënën një seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimin e kryeministrit, Albin Kurti, për shfuqizimin hap pas hapi të tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Por para fillimeve të punimeve të Kuvendit, kryeministrit Kurti i është vendosur një arkivol përpara zyrës së tij.
Në pamje duket arkivoli i mbuluar me letra në të cilat është shkruar “reciprocitet”.
Kjo formë proteste simbolizon varrosjen e premtimeve të tij për reciprocitet me Serbinë.
Kurti vendosi të heqë taksën ndaj mallrave serbe pak ditë më parë duke e quajtur atë një masë të pjesshme si një veprim që tregon gatishmërinë për të diskutuar.
Ai ka thënë se nëse Serbia ndal fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqet prej një periudhe prej 90 ditësh.
Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendoset taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.
Por, ky plan i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, menjëherë pasi Kurti paraqiti planin e tij për heqjen e taksës deklaroi se kryeministri i Kosovës bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht. /Opinion