Pak ditë më parë një lajm i mirë erdhi për Kosovën, teksa u njoftua se Xhamajka kishte njohur pavarësinë e saj.
Mirëpo kjo gjë duket të ketë qenë një keqkuptim. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës njofton se deri më tani, nuk ka marrë asnjë vendim rreth kësaj çështjeje.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës është në dijeni për raportimet publike rreth njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Çështjet si këto janë në shqyrtim të vazhdueshëm nga Qeveria e Xhamajkës. Megjithatë, tani për tani, Xhamajka nuk ka marrë asnjë vendim rreth çështjes”, i ka shkruar Klan Kosovës, Njësia për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Mediale e MPJTJ-së së Xhamajkës.
Madje kjo Ministri, shpreh keqardhje për keqkuptimin rreth qëndrimeve për njohjen e Kosovës.
“Rrjedhimisht, është për keqardhje që ka ndodhur një keqkuptim i qëndrimit të Xhamajkës”, ka bërë të ditur MPJTJ e Xhamajkës.