Tërmeti i muajit nëntor dëmet më të mëdha të llogaritura në vlera monetare i shkaktoi në qytetet kryesore të vendit, Tirana dhe Durrësi. Shifrat zyrtare të ministrisë së Rindërtimit dhe Zhvillimit tregojnë se efekti i dëmeve për kryeqytetin llogaritet në vlerën e 303 milionë eurove, ndërsa për qytetin e Durrësit prej 310 milionë euro.
Në total fatura e dëmeve e llogaritur nga qeveria, e cila do të prezantohet edhe në konferencën ndërkombëtare të donatorëve llogaritet në vlerën e 985,1 milionë lekëve. Ministria e Rindërtimit dhe Zhvillimit ka llogaritur se pjesa më e lartë e faturës totale të dëmeve është për dy qytetet kryesore të vendit, në vlerën e 613 milionë eurove.
Si për Tiranën dhe Durrësin dëmet në vlerë llogariten sa 31 për qind e totalit të dëmeve të shkaktuara në të gjithë vendin. Referuar këtyre të dhënave, në Tiranë u dëmtuan 35,085 banesa dhe 60 biznese. Në kryeqytetet nuk pati dëme në strukturat akomoduese, si hotele. Durrësi është qyteti më shumë I prekur nga tërmeti, ku rezultojnë të dëmtuara 37,179 banesa dhe 343 biznese, duke përfshirë ato të tregtisë, industrisë, prodhimit dhe magazinat. Numri i hoteleve të dëmtuara llogaritet në 52 njësi.
Në të gjithë vendin dëmet më të mëdha u shkaktuan në sektorin e strehimit. Dëmet në këtë sektor llogariten në vlerën e 696,3 milionë lekëve. Në sektorin e prodhimit humbjet janë 150,5 milionë lekë, në sektorin e arsimit 72,4 milionë lekë, në infrastrukturë 33,4 milionë lekë dhe për mbrojtjen civile 22 milionë lekë.
Pas inspektimit rezultoi se në rang vendi janë për t’u shembur 115 pallate, ku numri më i lartë rezulton në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar janë 242 pallate.
Numri më i lartë i shembjeve do të jetë për shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Referuar shifrave të Ministrisë së Rindërtimit numri i tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak do të shemben 99 shtëpi individuale dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale./Monitor