200 vjet më parë, eksploruesit zbuluan kontinentin e shtatë të botës, Antarktidën. Më pas filloi një garë shumëkombëshe për kontrollin e kontinentit. Në fund të viteve 1950, shumë vende nënshkruan një traktat që mbronte kontinentin e ngrirë.
Eksploruesit udhëtonin me anije druri me vela, duke çarë përmes dallgëve të forta 200 vjet më parë. Ata zbuluan një kontinent të ngrirë.
“Askush nuk kishte qenë atje. Gjithçka ishte e mbuluar nga akulli. Prandaj ata ndoqën rrugë të tjera”, thotë Clive Grey, Shef Ekzekutiv i kompanisë Blyth Tall Ship.
Lajmi u përhap, dhe shumë shpejt njerëz nga gjithë bota bënë udhëtimin për në Antarktidë. Disa prej tyre ishin në kërkim të pasurisë, ndërsa vendet ngritën flamuj që pretendonin se toka e zbuluar rishtazi ishte e tyre. U desh të vinte viti 1959 që vendet të nënshkruanin Traktatin e Antarktidës, duke rënë dakord ta përdornin kontinentin për paqe dhe hulumtime të përbashkëta shkencore.
Ndryshimi i klimës, rritja e turizmit dhe presioni mbi rezervat e peshkut janë shenja se Antarktida përballet me më shumë sfida. Pra, vendet do të kenë më shumë hapësirë dhe arsye për të luftuar për shfrytëzimin e kontinentit.
“Kjo gjithashtu do të thotë se vende si Kina do të bëhen gjithnjë e më dominuese në kërkimin të një zëri mbi mënyrën e qeverisjes së Antarktidës. Në fund të fundit, qytete si Shanghai mund të kërcënohen nga rritja e nivelit të detit (nga shkrirja e akullnajave Antarktidës)”, thotë profesori i gjeopolitikës Klaus Dodds, nga Universiteti Royal Holloway.
Ashtu si zbritja e shumë vendeve në Antarktidë, efektet e rritjes së nivelit të detit janë një kërcënim për shumë vende, duke bërë të domosdoshëm bashkëpunimin shkencor mes tyre.
“Arsyeja që ne e studiojmë aq shumë është sepse uji nga shkrirja e Antarktidës do të arrinte në brigjet e Britanisë së Madhe. Provat tregojnë se shumica e vendeve mendojnë se ato do të përfitonin më shumë nga bashkëpunimi në kuadër të traktati për të studiuar dhe qeverisur Antarktidën sesa nëse ato e bëjnë këtë veç e veç”, thotë Jane Rumble, e Ministrisë së Jashtme britanike.
Eksploruesit e zbuluan zyrtarisht kontinentin më jugor në vitin 1820. 12 vende nënshkruan Traktatin e Antarktidës në vitin 1959. Sot, më shumë se 50 vende janë nënshkruese të traktatit. /Voa