Një vit më parë, PD dhe LSI dogjën mandatet dhe nisën një valë protestash të dhunshme kundër qeverisë, por që nuk u mbështetën nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht nga SHBA. Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë bërë të qartë edhe një herë opozitës se rruga e revoltave është e gabuar.
Ambasadorja e re e SHBA, Yuri Kim, mbajti një takim me kryedemokratin Basha. Me anë të një postimi nga faqja zyrtare e Ambasadës Amerikane, është bërë e ditur se Kim ka kërkuar të ndiqen vetëm rrugët demokratike, duke e bërë të qartë përjashtimin e rrugëve të dhunshme dhe mosbindjes civile.
Statusi
Gjatë takimit të saj sot me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, Ambasadorja Kim nxiti të gjitha palët të qëndrojnë në tryezë dhe të përfundojnë një kod zgjedhor. Ambasadorja gjithashtu konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet dhe praktikat demokratike në Shqipëri.
Sakaq, pas përfundimit të takimit me ambasadoren, Basha shprehet se takimet shkojnë përtej Partisë Demokratike, për t’u dhënë shqiptarëve daljen nga kriza.
Statusi
Kënaqësi e veçantë të mirëpres Znj. Yuri Kim, Ambasadoren e SHBA, aleatit dhe partnerit tonë strategjik. E urova Ambasadoren Kim për detyrën e re dhe e sigurova atë për bashkëpunim të plotë të opozitës në përmbushjen e të gjithë angazhimeve të vendit tonë me SHBA.
Ndava me të pikëpamjet për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe e garantova për angazhimin e plotë dhe serioz të PD në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të popullit shqiptar, ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona.