Banorët e një pallati të ndërtuar para 15-viteve janë në frikë të përditshme, pasi godina e ish fabrikës së miellit të qytetit të Korçës që ndodhet jo më larg se 1 metër distancë, mund të shembet prej amortizimit.
Kjo fabrikë e dalë jashtë funksionit, e ndërtuar në vitet 1945, tashmë është kthyer në një ngrehinë të rrezikshme për pallatin ngjitur, por edhe për kalimtarët që kalojnë nëpër ngushticën ndërmjet dy godinave. Tullat e godinës kanë filluar të bien, ndaj banorët për të hyrë në pallatin e tyre, çdo ditë rrezikojnë jetën.
Përveç rrezikut të shembjes, banorët e këtij pallati ankohen në ‘Fiks Fare’ se kjo godinë është kthyer edhe ne një vatër sëmundjesh, pasi ambientet në të janë plot plehra dhe me fekale. Ata shtojnë se kjo godinë është kthyer në një strehë për përdoruesit e drogave, dhe bazë për të kryer vepra të turpshme.
“Kemi fëmije dhe vajza, por për shkak se aty bëhet gjithçka, kemi frikë dhe turp t’i nxjerrim në dritare apo në oborr”, shprehet një banor i pallatit.”Kemi 5-vite që ankohemi pranë Bashkisë së Korçës, por deri më tani asnjë ndërhyrje nuk është bërë. Te vetmen gjë që bënë është vendosja e dy tabelave paralajmëruese ku shkruhet: ‘Kujdes rrezik shembje’, pohon një tjetër banor. Ata kërkojnë që godina e rrënuar e ish fabrikës së miellit të shembet, para se të shkaktojë ndonjë tragjedi.
Gazetarët e ‘Fiksit’, pas shqetësimit të banorëve u interesuan pranë Bashkisë Korçë. Kryeinspektori i I.M.T-së, z. Idlir Limllari shprehet se është i njohur me problemin dhe u jep të drejtë banorëve. Ai sqaron se godina ka vite që është privatizuar ndaj edhe I.M.T nuk mund të ndërhyjë në prishjen e saj. “Ne kemi ndërhyrë dy herë në godinë pas ankesave të banorëve, kemi pastruar tullat për mos rënë, por nuk mund të bëjmë më shumë se kaq”, u shpreh Limllari.
Për të qetësuar banorët, por edhe për t’iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se sa rrezikon kjo godinë shembjen, Limllari sqaron se godina është e amortizuar, por është e ndërtuar me beton arme dhe kjo përjashton rrezikun e shembjes.
I pyetur se nëse situata është e tillë pse janë vënë tabela sinjalizuese ku tregojnë rrezik shembje, Limllari shpjegon se është gabim “do i heqim ato dhe do vëmë tabela ku do të tregojnë që ka rrezik vetëm për rënie tullash, jo për shembje”. Në fund kryeinspektori i IMT-së Korçë premton se do të ndërhyjnë në godinë, për ta pastruar. /Top Channel