Të dhëna mbi figurën e Pal ngjëllit na vijnë nga Prof.Dr.Mikel Prennushi. Sipas profesorit, Pal Engjëlli ishte një mbrojtës i madh i çështjes shqiptare dhe një nga diplomatët më të mëdhenj të kohës së Skënderbeut. Dhe kjo ishte diçka normale. Në Mesjetë, shumë klerikë, shkencëtarë dhe shkrimtarë kryenin detyra të rëndësishme, sepse gëzonin prestigj dhe zgjuarsi të madhe.
Nga gjenealogjitë që janë shkruar kohë pas kohe thuhet se ai rridhte nga familja e njohur e Engjëllorëve të Drishtit. Marin Barleti do të shkruante për të:”…burrë i pajisur me mendje shumë të lartë dhe me zotësi shumë të rrallë në të folur, me dituri si askush dhe i vaditur me lartësinë e shenjtë dhe humane, si greke, si latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë dhe në zakone, i flaktë për fenë e krishterë, burrë që Skënderbeu e mbante mbi krye për maturinë, kulturën dhe pastërtinë e jetës që e respektonte dhe e dëgjonte si ndonjë orakull gjithë epirotët dhe arbërit.
Për herë të parë emrin e Pal Engjëllit e takojmë në shkresa në 20 prill të vitit 1457 kur ai do të nisë karrierën e tij kishtare si presbiter në Durrës. Pas vdekjes së kryepeshkopit italian Stefano Bonacorsi në krye të katedrales së Durrësit në 19 mars të 1460 Papa Pio II emëroi kryepeshkop kryedhjakun Pal Engjëlli.
Pal Engjëlli u zgjodh diplomat i Skënderbeut dhe përkujdesej për marrëdhëniet komplekse dhe të vështira me Republikën e Venedikut. Këtë marrëdhënie sipas profesorit e dëshmon një marrëveshje e 13 shtatorit 1465, ku Pal Engjëlli nënshkruan “në emër të madhnueshmit Skënderbe” si dhe konsultimet e shpeshta e të herëpashershme që bëri Skënderbeu me të lidhur me marrëdhëniet me Venedikun. Duke punuar me ngulm, mençuri e atdhetarizëm për një politikë të jashtme sa më aktive në dobi të çështjes kombëtare, Pal Engjëlli nuk harron asnjë çast se burimi kryesor i forcës shqiptare qëndronte në bashkimin e popullit të të gjitha krahinave nën udhëheqjen e Skënderbeut, nën një komandë të vetme e të drejtë. Prandaj në fjalimet e tij para popullit ai mburri kurdoherë këtë figurë kryesore të qëndresës shqiptare.
Në një nga fjalimet e tij para luftëtarëve shqiptarë, sipas Marin Barletit, Pal Engjëlli më 1641 tha këto fjalë për kryetrimin e atdheut tonë:
“Fatbardha dhe fort të lumtura janë ato republika, mbretëri e shtete, që qeverisen nga njerëzit më të mirë dhe më të ditur…Në kohën e sotme ne e shohim qartë si drita, se këtë fat e kanë pasur arbërit tanë, të cilët qeverisen nga Skënderbeu, i vetmi princ aq i ditur, aq i mirë dhe kapedan i pathyeshëm…”
Këto fjalë tregojnë konsideratën e lartë të Pal Engjëllit për Skënderbeun. Ata ngjallën besimin e krenarinë e popullit për këtë figurë politike e ushtarake, për këtë njeri me virtyte të larta, simbol i popullit të vet. Me autoritetin e tij kishtar Pal Engjëlli u përpoq të realizojë dhe bashkimin e koherencën mes princave shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Një vepër e mirë e tij është sidomos ajo që, me përpjekje e maturi, më 1459 pajtoi mes tyre princërit dukagjinë me Skënderbeun, duke shmangur një përçarje mes radhëve të shqiptarëve apo një gjakderdhje të kotë.
Nuk ka dyshim se në politikën e jashtme të shtetit arbër, në shekullin XV, një rol të rëndësishëm ka luajtur Imzot Pal Engjëlli si njeri i ditur, i kulturuar dhe i besuar i Skënderbeut, si prelat kishtar që me autoritetin e prestigjin e tij ndikoi me atdhetarizëm në ngjarjet e kohës. Ai është figura e diplomacisë shqiptare së kësaj periudhe që shënoi një epokë dhe diplomati i parë shqiptar që njohim deri tani.
Por jo vetëm në marrëdhëniet diplomatike pati një vlerë të jashtëzakonshme Pal Engjëlli. Mendohet se ai është autori i një historie të Skënderbeut në gjuhën latine e botuar në Venedik më 2 prill 1480, pra gati 30 vjet para veprës së Marin Barletit. Për herë të parë dhe i vetmi që e shfrytëzoi këtë vepër është historiani italian G. Biemmi i cili botoi më 1742 në Breshia (Brescia) “Istoria di Giorgio Scander’begh”. Ai pohon se historinë e Skënderbeut të vitit 1480 e gjeti në një bibliotekë dhe e shfrytëzoi gjërësisht për veprën e tij, ashtu si dhe vepra të tjera, si atë të Barletit dhe të shumë autorëve të huaj mbi Skënderbeun. Vetë Biemmi na e jep titullin e kësaj vepre, titull të cilin e gjeti në fund të librit, me qenë se fletët e para qenë të grisura: eksplicit Historia Scanderbeghi, EDITA PER QUONAMALBANENSES…” (Këtu merr fund Historia e Skënderbeut, botuar prej një shqiptari…)
Për shkak të shumë peripecive libri mendohet të ketë humbur. Por vetëm një personalitet si ai mund të shkruante një libër mbi njeriun që e njohu aq shumë, sepse ai është autori i dokumentit të parë të gjuhës shqipe, diplomat, atdhetar dhe humanist i njohur.
Historia tregon se Pal Engjëlli pas vdekjes së Skënderbeut emigroi për në Itali. Thuhet se ai pati dhe misionin e rëndësishëm të çonte familjen e Skënderbeut për në vendin fqinj dhe thuhet se e ka bërë këtë.
Nuk ka shumë të dhëna për jetën e tij në mërgim, por sa kohë jetoi në Arbëri jeta e tij ishte me të vërtetë e lavdishme.