Detaje të reja janë zbardhur nga pengmarrja që përfundoi me vrasje. Duke iu referuar policisë, 49-vjeçari Jan Prenga ka vdekur në 17 janar. Kjo përkon me ditën kur u rrëmbye në Kamëz, për shkak të dhunës dhe gjakderdhjes. Ka hije dyshimi se trupi i tij është groposur në zonën e Shijakut, por ende nuk është gjetur.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Jan Prenga ka pasur një emër tjetër vite më parë. Sipas saj, 49-vjeçari quhej Dod Prenga dhe e ka ndërruar emrin në Greqi ku ndodhej si emigrant duke e bërë Jan Prenga. Ai nuk ka pasur precedentë penalë dhe rrëmbimi e vrasja e tij ka ardhur për shkak të konflikteve të vëllezërve të tij për çështje droge.
“Nga veprimet e thelluara hetimore, ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit J. P., kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H. Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng”, njoftoi sot policia.