Mjeshtri i Merituar i Sportit, Gazmend Çaçi, ka zbuluar se legjenda e basketbollit Kobe Bryant i cili humbi jetën në një aksident me helikopter, kishte në planet e tij për të ardhur në muajin maj në Shqipëri. Ish lojtari i Ekipit Kombëtar të Basketbollit, Gazmend Çaçi, në emisionin “Procesi Sportiv” zbuloi se Kobe pritej të vinte në Shqipëri për një aktivitet.
“Kobe Bryant ka qenë një njeri shumë i madh. Mbi të gjitha ai ka shkuar në çdo cep të botës kur e kanë thirrur. Por gjithmonë me fëmijë. Ai luante 1-1 me fëmijët. Dhe këtë model ne e kemi marr, dhe kemi dashur ta ftojmë në Shqipëri.
Dhe kemi arritur që të kontaktojmë jo direkt me Kobe, por me asistentët e tij, dhe mendonim që në fund të majit në 2020 do të bënim një aktivitet super gjigand me 2500 fëmijë që marrin pjesë në basketboll. Kishim marrë përgjigje pozitive dhe pritshim të përcaktonim gjërat e tjera. Kjo do të bëhej me mbështetjen e shumë faktorëve, por mbi të gjitha nga Kryeministria”, tha ai.