Nga yll futbolli në shofer taksie. Kjo është historia e trishtë që i përket ish-futbollistit Hakan Sukur, 48-vjeç. Shumë tifozë futbolli sjellin në kujtesë sulmuesin Hakan Sukur, si lojtarin që ka shënuar golin më të shpejtë të historisë së Botërorit me kombëtaren e Turqisë. Njëkohësisht edhe si një nga sulmuesit më të mirë të historisë së Gallatasarajit, i cili me golat e tij tërhoqi vëmendjen e Interit, duke luajtur me zikaltërit për dy sezone në Serinë A.
Jeta e tij do të ndryshonte, pasi u bashkua me partinë e Recep Tayyip Erdoğan. Ai u arratis në SHBA në vitin 2015, ndërkohë që i burgosën të atin.
Sukur tregon pa ndroje se pasi i konfiskuan pasurinë, i është dashur që të nisë gjithçka ka hiçi. Hakan Sukur shprehet se jeta e tij nuk ka qenë aspak e lehtë, e ndërsa fëmijët e tij janë sulmuar në rrugë. Po kështu, edhe në biznesin e bashkëshortes së tij kanë hedhur gurë.
“Kam nisur të punoj pasi më konfiskuan çdo pasuri që kisha, nuk kam më asgjë. Erdogani m’i mori të gjitha. Më hoqi të drejtën e lirisë, të drejtën e fjalës, të shprehjes dhe të punës.
Pas çdo deklarate që bëja, më kërcënonin. Fëmijët e mi janë sulmuar në rrugë, në butikun e gruas sime hodhën gurë… Kur u largova nga Turqia, burgosën babanë dhe më konfiskuan çdo pasuri. Njerëzit që kanë lidhje me mua, e kanë jetën shumë të vështirë në Turqi”, tregon ish-futbollisti.
Hakan Sukur u akuzua se mori pjesë në grushtin e shtetit, që mendohet se e organizoi Fetullah Gulen në vitin 2016, por 48-vjeçari thotë se ende nuk e di se për çfarë akuzohet saktësisht. “Kush ishte roli im në grushtin e shtetit? Askush nuk ma ka thënë këtë deri më sot. Kam bërë vetëm gjëra që janë të ligjshme, por quhem Hakan Sukur. Jam armik i qeverisë, jo i shtetit dhe kombit turk. E dua flamurin dhe vendin tim”, thekson ish-futbollisti.