Kryesore

Vendimi për Bashën/ Balla: Teatër i turpshëm


               Publikuar në : 17:58 - 13/01/20 M S

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar në Facebook, pasi Gjykata e Tiranës pushoi çështjen ndaj kryedemokratit Basha, i akuzuar për falsifikim. Balla e cilëson si një teatër të turpshëm. Sipas tij, kjo çështje nuk është vetëm e drejtësisë shqiptare. Për rrjedhojë, nuk mund të mbyllet pa u hetuar në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë.

Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen ndaj Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të Partisë Demokratike, të akuzuar për kontratat e lobimit në SHBA. Gjykata rrëzoi akuzën e Prokurorisë ndaj Bashës, ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani dhe financuesit të partisë Ilir Dervishi. Gjatë dy viteve hetime, zyrtarët e PD-së u akuzuan për lobimin e pretenduar me para ruse, që kapte shifrën e 675 mijë dollarëve. Gjyqtari i çështjes tha se nuk provohet falsifikimi i dokumenteve, dhe për këtë arsye vendosi pushimin e çështjes.

Statusi

Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.

Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.

Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfarë të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë.

Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë.


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT