“Shqipëria është një vend i rrezikshëm për të investuar dhe ndërkombëtarët janë të lodhur nga dështimet e qeverisë”, kështu është shprehur kreu i PD-së Lulzim Basha në një status në facebook, duke iu referuar raportit të Fitch.
Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar nuk ka besim te kryeministri Rama dhe kjo ka ndikuar edhe në ekonomi. Për kreun e PD-së, investimet e ulta të huaja janë të lidhura direkt me dështimet e qeverisë së Ramës.
Sakaq, ai ka shprehur gatishmëri për të zgjidhur krizën politike.
Në raportin e Fitch, theksohen dëmtimet më të dukshme në Shqipëri, “Protesta, rritje të tensioneve mes partive politike, bojkoti i opozitës ndaj zgjedhjeve lokale të 30 qershorit”.
STATUSI I LULZIM BASHËS
Sipas agjencisë prestigjioze ndërkombëtare Fitch, në vitin 2019 Shqipëria është bërë një vend edhe më i rrezikshëm për të investuar. Shanset tona për të tërhequr investime, të cilat i kemi shumë të nevojshme, po zvogëlohen përditë. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është lodhur nga dështimet e kësaj qeverie.
Por nuk ka pse të jetë kështu. Vendi ynë ka njerëzit dhe burimet e duhura për të ecur përpara. Ajo që na duhet, janë politika serioze dhe të mirëstudiuara që do ta ndalin krizën dhe do t’i japin vendit platformën që i nevojitet për të pasur sukses.