Prej më shumë se 4 dekadash, Republika Islamike e Iranit është një armike e betuar e SHBA-së dhe botës perëndimore. Ideologu dhe arkitekti kryesor i Republikës Islamike, është kleriku iranian Ajatollah Ruhollah Khomeini. Ai lindi në shtator 1902, dhe nisi studimin e Kuranit që në moshën 6-vjeçare. Më pas, vazhdoi studimet e thelluara mbi islamin shiit, duke u bërë lektor në qytetin e shenjtë Qom.
Ai nisi të sulmojë laicizmin e shtetit iranian, dhe të propagandojë vendosjen e ligjit të Sheriatit. Pas armiqësisë së vazhdueshme me Shahun, monarkun e vendit, qëndroi për 14 vite në mërgim. Veç karizmës, ngjitja e tij në pushtet i atribuohet dhe një legjende fetaro-urbane.
Thuhej se një imam kishte profetizuar dikur se “një njeri do të dalë nga Qomi, dhe do t’i kthejë njerëzit në rrugën e duhur”. Në fund të vitit 1978, miliona njerëz në Iran pretenduan se kishin panë fytyrën e Khomeinit të pasqyruar mbi Hënën e plotë.
Kjo ngjarje u kremtua në mijëra xhami iraniane. Pra ai perceptohej më shumë sesa një udhëheqës shpirtëror: ishte Mesia (shpëtimtari) i Iranit. Pas triumfit të revolucionit, Khomeini udhëroi mbylljen e të gjitha gazetave të pavarura, dhe burgosjen apo ekzekutimin e mijëra kundërshtarëve politikë.
Gratë u ndaluan të dalin në publik me kokën zbuluar, ndërsa burrave iu ndalua konsumi i alkoolit. U ndalua ndërkohë shumica e filmave dhe muzikës perëndimore.
Khomeini e uli në 13-vjeç moshën minimale të martesës së vajzave. Madje lejoi martesën e vajzave mbi 7-vjeç, nëse një mjek vërtetonte pjekurinë e tyre seksuale. Po ashtu u miratuan ligje që inkurajuan poligaminë, dhe që e bënin tradhtinë bashkëshortore të dënueshme me vdekje.
Ajatollahu vdiq më 3 qershor 1989 në moshën 86-vjeçare, pasi pësoi 5 sulme në zemër brenda 10 ditësh. Në funeral morën pjesë miliona njerëz. Ceremonia zgjati disa orë, pasi u ndërpre disa herë nga turmat histerike, që donin të preknin trupin e pajetë të Khomeinit. Sot varri i tij është një faltore për adhuruesit. Ata iranianë që e ofendojnë, dënohen rreptë.
TIRANA TODAY