Martesa e fëmijëve, është një shkelje e hapur e të Drejtave të Njeriut. Ajo ka disa pasoja negative: rritje të nivelit të vdekshmërisë si për nënën ashtu edhe për fëmijën, probleme të shëndetit mendor, sëmundje seksualisht të transmetueshme, dhe ndërlikime gjatë shtatzanisë.
Pavarësisht ligjeve kundër, miliona fëmijë martohen çdo vit, kryesisht në Azinë Jugore, Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Por nuk janë vetëm vendet në zhvillim, ato që i detyrojnë vajzat e vogla që të martohen.
10- Ukraina
Ndërsa mosha minimale për martesë është 18-vjeç, por jo pak martesa ndodhin në moshën 16-17 vjeçare me lejen e gjykatës. Shkalla e martesës së fëmijëve nuk është shumë e njohur. Por një studim sugjeron se rreth 10 për qind e vajzave, janë martuar para moshës 18-vjeçare.
Dy faktorë ndikojnë shumë në këtë dukuri: varfëria dhe niveli më i ulët arsimor. Arsyeja më e zakonshme për martesën e fëmijëve është shtatzënia. Të jesh i martuar në Ukrainë, nënkupton shpesh mbylljen e shumë mundësive, pasi të miturit që martohen janë të prirur të braktisin shkollën, kanë pak mundësi punësimi, dhe janë të izoluar nga shoqëria.
9-Gjeorgjia
Mendohet se 17 përqind e martesave, ndodhin mes vajzave dhe djemve të mitur, edhe pse në këtë vend mosha minimale është 18-vjeç. Martesa e zakonshme e fëmijëve në Gjeorgji, ndodh mes një vajze të re dhe një burri shumë më të madh në moshë. Edhe këtu të qenit i martuar, përkthehet në mbyllje të mundësive për jetën: nënat e reja bëhen shtëpiake.
8-Turqia
Këtu mosha minimale për martesë është 17-vjeç, por në rrethana të caktuara lejohen edhe në moshën 16-vjeçare. Fëmijët në zonat rurale, veçanërisht vajzat, shihen shpesh si një “gojë shtesë” për t’u ushqyer. Kjo e bën martesën e fëmijëve, një praktikë ekonomikisht të favorshme për prindërit. Për më tepër, martesa e fëmijëve shihet si një mënyrë për ruajtjen e virgjërisë dhe virtytit të një vajze.
7-Shqipëria
Kushtetuta shqiptare e ndalon martesën e fëmijëve, por ky fenomen ekziston ende. Mosha minimale për martesë është 18-vjeç, por lejohen përjashtimet. Ashtu si në shumë vende, shumë martesa të fëmijëve nuk njihen ligjërisht, ndaj nuk ka të dhëna të sakta. Por duket se kjo është një dukuri më e zakonshme në mesin e komunitetit rom, dhe në zonat e varfëra rurale.
Në Shqipëri, është babai ai që rregullon martesat e fëmijëve të tij. Në disa bashkësi të izoluara, fëmijët nuk shohin mundësi tjetër. Në disa raste, familjet nxiten nga ideja për t’i martuar vajzat e tyre me burra të pasur, të cilët do të paguajnë një prikë të majme, edhe pse e njohin fare pak dhëndrin e tyre. Disa fëmijë martohen që në moshën 13 vjeçare.
6-Kanadaja
Mosha minimale për martesë ndryshon. Dhe në disa raste, fëmijët e moshës 16-17 vjeç mund të martohen me pëlqimin e të dy prindërve. Në shumë raste, fëmijët kryesisht nga familje me origjinë emigrantësh, dërgohen për t’u martuar jashtë vendit. Ndonjëherë, ata qëndrojnë në vendin ku janë martuar me forcë, dhe nganjëherë rikthehen në shtëpi. Ata vuajnë shpesh nga abuzime fizike dhe emocionale.
5-Belgjika
Gjatë viteve 2010-2013, u denoncuan në polici 56 martesa fëmijësh. Por numri i fëmijëve të martuar, ka të ngjarë shumë më i lartë se sa numri i ankesave. Shumë fëmijë mund të jenë shumë të frikësuar, apo e cilësojnë denoncimin si një tradhti ndaj familjes së tyre. Kjo dukuri është më e zakonshme në disa rajone të veçanta, dhe kryesisht aty ku jetojnë emigrantë afganë apo pjesëtarë të komunitetit rom.
4-Brazili
Ligji brazilian lejon martesën e fëmijëve në moshën 16-vjeçare me lejen e të dy prindërve të tyre, por disa martohen në moshë më të re. Vajzat shtatzëna, mund të përballen me presionin e prindërve për t’u martuar me babanë e fëmijës. Në vitin 2010, këtë fat patën më shumë se 40.000 vajza braziliane të moshës 10-14 vjeçare. Një rol kryesor luan varfëria.
3-Afrika e Jugut
Në këtë vend ekziston një praktikë kulturore e njohur si “ukuthëala” që praktikohet edhe sot. Një burrë ose një grup burrash rrëmbejnë një vajzë ose një grua të re, që dëshiron të martohet me njërin prej tyre. Burri ose burrat përpiqen ta bindin vajzën dhe familjen e saj, t’i lejojnë të martohen. Prindërit bien ndonjëherë dakord, që vajzat e tyre të rrëmbehen.
2-Britania e Madhe
Mosha minimale për martesë është kryesisht 18-vjeç, ndërsa në Skoci 16-vjeç. Martesat nën këtë moshë nuk regjistrohen. Në disa prej këtyre rasteve, fëmijët mashtrohen për të shkuar në një vend tjetër, ku martohen pa miratimin e tyre. Refuzimi, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse. Shafilea Ahmed, 17-vjeçe, u rrëmbye nga prindërit e saj dhe u dërgua në Pakistan ku do të martohej. Ajo tentoi të vetëvritej, dhe në fund prindërit e vranë.
1-Shtetet e Bashkuara
Shumë shtete kanë ligje që ndalojnë martesën nën 18-vjeç, ndërsa përjashtimet lejohen nga gjykata. Edhe vajza deri në 12-vjeçe, janë martuar në dekadat e fundit. Në disa raste, martesat nuk njihen ligjërisht. Janë ndërmarrë disa nisma për të reduktuar numrin e martesave të fëmijëve, por jo të gjitha kanë pasur sukses.
TIRANA TODAY