Nga: Genc Pollo
Në verën e vitit të vjetër, kur ministri i brendshëm turk deklaroi pasi takoi Edi Ramën në Tiranë se kishin arritur vendime politike shumë të rëndësishme për
kthimin e “terroristëve gylenistë” në Turqi, shkrova një artikull të gjatë ku vëreja se politika e qeverisë Rama në këtë çështje kishte qenë respektimi i legjislacionit shqiptar e ndërkombëtar, shprehja druajtjen se mos kjo politikë kishte ndryshuar si dhe nevojën e reagimit të duhur në rastin fatkeq të rrëmbimit ekstraligjor të shtetasve turq siç kishte ndodhur më parë në Kosovë. Në artikull citoja shprehjen e famshme të pastorit gjerman Niemoller në Rajhun e Tretë, se kur erdhën t’a arrestonin atë nuk foli kush, pasi të tërë ishin arrestuar me radhë, madje pa protestuar njeri.
Gjithësesi kur e lexova sërish artikullin e përfunduar, më feksi mendimi racional se mos citati i Niemoller-it ishte ekzagjerim pasi krahasimi i regjimit të Ramës me atë hitlerian ishte historikisht i pabazuar. Jo vetëm kaq, por edhe se presioni i opozitës, i opinionit publik si dhe impenjimet ndaj partnerëve euroatlantikë do të frenonin Ramën nga një shkarje e tillë.
Megjithatë në dilemën nëse duhet t’i fryj kosit për merak apo të rrezikoj të përvëloj gojën me qull të nxehtë, intuita më shtyu nga siguria dhe citati mbeti.
Sot ditën e tretë të këtij viti në retrospektivë jo vetëm intuita apo instikti por edhe arsyetimi logjik të heq çdo shpresë të fshehtë për vetëpërmbajtjen e regjimit Rama si dhe, në kontekstin tonë, i jep të drejtë pastorit gjerman.
Po ashtu mund të konkludosh se në siklet janë vënë edhe shtetet mike që me dëshirën e mirë dhe me një miks besimi e naiviteti mbështetën presidencën shqiptare të OSBE-së. Edi Rama, personalisht prej tre ditësh Chairman in Office i organizatës, i “shpërbleu” fët e fët me ligjet antifjalë e me kidnapime mes shteteve anëtare. Edhe ofiqarët e shteteve të BE-së që mbyllën me dashamirësi njërin sy dhe votuan pro negociatave me shpresën se gjërat rregullohen rrugës, do të duhet tashti që të zenë hundën me dorë në mbledhjet e Këshillit Europian që të mbrojnë votën pro. Ndërsa ata që kishin rezerva do të kenë tashmë prova taze që konfirmojnë qëndrimet e tyre skeptike.
Dy fjalë për Turqinë
Shpesh harrohet që të gjitha partitë parlamentare turke e dënuan me forcë e pa mëdyshje grushtin e shtetit të ndërmarrë nga segmente të ushtrisë duke i kujtuar opinionit vendas e botëror se dhuna e armatosur nuk është aspak rruga për të korrigjuar problemet e mangësitë politike sidomos në një kontekst kushtetues pluralist e demokratik. Dënimi i fajtorëve nga një drejtësi e pavarur do të ishte i natyrshëm në çdo demokraci; por ekzagjerimi me reprezaljet ngre pikëpyetje edhe për demokracinë edhe për drejtësinë e pavarur. Gjithsesi rezultatet e zgjedhjeve lokale së fundmi treguan se shoqëria turke mundet të reagojë me mjete kushtetuese e demokratike.
Një Shqipëri normale nuk është në pozitën për të dhënë ndonjë ndihmë domethënëse megjithë fqinjësinë e mirë e bashkëpunimin miqësor. Ka të tjerë faktorë të jashtëm më efikasë duke përfshirë organizata ndërkombëtare si OSBE e Këshilli i Europës. Por Shqipëria mund të ofronte një model të demokracisë e shtetit ligjor funksional. Në vitin e shtatë të qeverisë Rama kjo është e pamundur. Madje përzjera e pushtetarëve me narkotrafikantët e ka zhytur imazhin e vendit në një llum të cilin regjime autokratike përreth nesh ja kanë kursyer vetes. Ajo që vlen të thuhet e të përsëritet është se trysnia mbi shtete të tjera nga pushtetarë të Turqisë, apo edhe të çdo vendi tjetër, për të larë hesape të brendëshme në kurriz të ligjshmërisë të ketyre shteteve nuk mund e nuk duhet pranuar.
Kosova si shembull
Përpjekje për të riatdhesuar forcërisht turq të dyshuar si gylenistë-puçistë ka patur këto tre vite. Nga një hulumtim i shpejtë më rezultoi se shtetet anëtare të Bashkimit Europian i kishin marrë vendimet përmes gjykatave, të cilat më së shumti ishin shprehur negativisht. Në hapësirën mes Shqipërisë e Moldavisë shtetet jo anëtare të BE-së vendimet përkatëse i kishin marrë në rrugë politiko-administrative. Këto ditë në shkrimet mbi turkun Harun Çelik është përmendur shpesh rasti i turpshëm i rrëmbimit e degdisjes në Turqi nga Kosova të gjashtë shtetasve turq (njëri syresh shtetas i dyfishtë turk e shqiptar) në mars 2017 si dhe reagimi i kryeministrit Haradinaj, i cili shkarkoi ministrin e brendshëm dhe shefin e zbulimit. Më pak është folur e shkruar tek ne për një reagim tjetër: para dy muajsh një komision hetimor i Kuvendit si dhe drejtoria e ministrisë së brendëshme që kontrollon ligjshmërinë në polici (si SHKB tek ne) në mënyrë të pavarur nga njeri tjetri, konkluduan se në këtë rast ligji u shkel mbi 30 herë, përgjegjësit konkretë u identifikuan dhe ju përcollën autoriteteve, përfshi prokurorinë, për masa përkatëse. Mbetet të presim reagimin përfundimtar të autoriteteve por edhe me kaq mund të shënoj se Kosova e përmbushi testin e seriozitetit shtetëror. Skandale shtetërore ndodhin kudo në botë. Ajo që veçon shtetet ligjore serioze është mënyra e reagimit.
Në Shqipëri! Ç’të bëjmë?
Në rastin Harun Çelik, kryeministri Rama luajti Pons Pilatin kurse policia dha informacione me pikatore që edhe kështu rezultuan kontradiktore. Edhe nëse kemi të bëjmë me dëbim apo edhe me ekstradim, procedurat ligjore e normat ndërkombëtare duket qartë që janë shkelur. Harun Çelikut nuk i është mundësuar as kërkesa për azil. Hetimi i pavarur e i thelluar për rastin Çelik është një domosdoshmëri jo thjesht për akorduar një rehabilitim moral turkut viktimë, por për të mbrojtur shtetin ligjor e demokracinë shqiptare. Kujtoni Niemoller-in!
Nuk mund të presim ndonjë punë të hajrit nga parlamenti monorilindist me dyzetë buratinë shtesë. As nga SHKB e Lleshit. Madje as nga opozita nuk lipset të presim që në janar të mbushë sheshet me protestues që ngrenë pankarta ” Drejtësi për Harunin”. Ajo ka arsye të tjera më themelore për të reaguar duke filluar me zgjedhjet e lira e kapjen-banditizimin e shtetit.
Unë do të apeloja këtu Presidentin e Republikës, i cili edhe nën përgjegjësinë e kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duket të kërkojë të gjitha informacionet zyrtare, të bëjë analizën e tyre dhe të dalë me një raport për çështjen. Kështu Presidenti veproi vjet me rastin e skandalit të Astirit/Unazës së Re duke publikuar një raport shumë ndriçues.
Do të apeloja edhe Avokaten e Popullit, në mandatin e së cilës janë të drejtat e njeriut në territorin e Republikës pa dallim shtetësie, që të hetojë rastin Çelik në sfondin e ligjit shqiptar e konventave ndërkombëtare të ratifikuara. Me fokus tek Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Europiane për Ekstradimin.
Si dhe së fundmi e si zakonisht do të apeloja edhe prokurorinë të niste një hetim penal ex officio.
Nëse do të kemi qartësi e drejtësi në rastin Harun Çelik, do të kemi edhe një arsye për të besuar në urimet e shumta “Një Vit të Ri të mbarë”.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
3 janar 2020