Avokati i njohur Spartak Ngjela, paralajmëron ndryshime të mëdha në shtetin shqiptar. Ngjela është i mendimit se ky është vetëm një fillim i ri, i forcës bashkëkombëtare të shqiptarëve kudo ku ata ndodhen.
Teksa ka përjetuar lëkundjet tronditëse të tërmetit, e ka parë zhvillimet, avokati sjell në fokus ndjenjën e solidaritetit. Kjo ndjenjë mjaft e prekshme për shqiptarët, anembanë trojeve, dëshmon se janë një e do ia dalin nga kjo situatë kritike. Gjatë këtyre ditëve tronditëse, Kosova dha provat e shqiptarizmit.
Statusi
Tërmeti i 26 nëntorit po zhduket si pasojë, por, pas tij, ne shqiptarëve do të na duket se kemi dalë nga një luftë, e cila na ka bashkuar si popull në rrezik. Por na ka dhënë vlera të reja bashkimi.
Kosova këto ditë tragjike tregoi pararojën e shqiptarizmit. Por edhe një vlerë të madhe morale si mirënjohje për shqiptarët e Shqipërisë: dardanët nuk e harruan pritjen e vëllezërve të tyre në Shqipëri gjatë luftës për ekzistencë në vitin 1999.
E shihni si po përpëliten të shiturit këto ditë? Janë kudo, por pafare fuqi. Kërkojnë pa fare forcë të zbehin vlerën e re morale të dy shteteve shqiptarë, por kot, se janë krejt në vakum. Dhe sidomos, tani po kuptohet se kanë frikë të flasin kundër bashkimit gjithëshqiptar.
Por ky është vetëm një fillim i ri i forcës bashkëkombëtare të shqiptarëve kudo ku ndodhen. Sidomos, gjatë muajve që do të vijnë, do shohim se moraliteti shqiptar në drejtimin e dy shteteve shqiptarë, do të fillojë të vendoset me shpejtësi, dhe patriotizmi në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë, do të lartësohet në një vlerë të re.