Përdorimi i pagës së lartë si një instrument për të mbajtur stabël forcën e punës dhe për rrjedhojë, frenimin e emigracionit, nuk mund të përdoret si instrument nga bizneset që prodhojnë mallra dhe shërbime për llogari të eksportit. Kompanitë e Call-Center dhe fabrikat e fasonit nuk mund të transferojnë kostot më të larta të punës që vijnë nga pagat te çmimet, pasi rrezikojnë të humbin kontratat. Sektori i turizmit dhe sidomos agroindustria pohojnë se janë duke aplikuar paga më të larta për të frenuar ikjen e stafeve. Banka e Shqipërisë sqaron mekanizmin se si maturimi i forcës së punës do të ushtrojë presion mbi rritjen e pagave
Blerina Hoxha
Kompania Albaco Shoes, që prodhon këpucë për eksport, punëdhënësi i pestë më i madh në vend me rreth 2100 të punësuar, e ka të vështirë të projektojë ecurinë e aktivitetit në pesë vitet në vijim. Shpresa Kociraj, e cila merret me burimet njerëzore të kompanisë, thotë se ata e kanë gjithnjë e më vështirë të gjejnë punonjës, për shkak të tendencës për të ikur në emigracion. Nëse interesi për punë në fabrikë vijon me këto ritme, vështirë të përcaktohet perspektiva e biznesit në periudhë afatmesme.
Në prag të emergjencës për punonjës janë të gjitha bizneset e sektorit fason dhe call center, që deri më tani kishin si avantazh krahun intensiv të punës me kosto të lirë. Për të frenuar hemorragjinë e punonjësve që po krijohet nga emigracioni i lartë i të rinjve, pagat po vlerësohen si mjeti më i shpejtë që mund të vihet në lëvizje. Banka e Shqipërisë po parashikon se zhvillimet demografike dhe ndikimi i tyre në forcën e punës do të ushtrojnë presion për rritjen e pagave dhe kjo ka nisur të duket në disa sektorë. Mirëpo rritja e pagave, pa rritur produktivitetin, ka shumë mundësi të bjerë në kurriz të konsumatorëve, duke rritur çmimet, ndërsa në afat më të gjatë dëmton konkurrueshmërinë e bizneseve. Për shembull, nëse pagat rriten 5% dhe produktiviteti rritet vetëm 2%, atëherë bizneset do të synojnë të rrisin çmimet të paktën me 3% për të mbuluar humbjet që vijnë nga kostot më të larta të punës. Banka e Shqipërisë gjykon se ky është mekanizmi që e çon inflacionin në objektiv në periudhën afatmesme.
Por për shumicën e bizneseve në vend, që po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore, është e pamundur rritja e pagave, për shkak se kostot e tyre nuk mund të transferohen në çmime, pasi ato janë biznese eksporti. Rënia e kërkesës për të punuar në fabrika dhe mungesa e aftësive për ata që afrohen po e bëjnë të brishtë misionin e eksportuesve për të përmbushur detyrimet me kontraktorët. Megjithatë, projeksionet tregojnë se kjo tendencë do të thellohet në vitet në vijim.
Gjergj Liqejza, nga kompania Madish, që prodhon veshje në Shkodër për kontraktorë me emër në tregun ndërkombëtar, thotë se, rritja e çmimeve është e pamundur, pasi ka konkurrence të madhe që nuk e lejon këtë mekanizëm. Ai thotë se edhe në kushtet aktuale, pa ndryshim çmimesh, kontraktorët po shohin mundësinë t’u kthehen tregjeve të Lindjes së mesme.
Bizneset fason, call center dhe ato të shërbimeve të IT që shesin mallra dhe shërbime për tregjet e huaja, e kanë të vështirë të shfryjnë kostot e punës që mund të vijnë nga pagat dhe taksat në çmime, siç mund të veprojnë bizneset që kanë treg Shqipërinë. Lorenc Goga, administrator i Facile.it, një biznes në sektorin e call center, tha se e ka të pamundur të përdorë mekanizmin e rritjes së pagave për të gjithë stafin, pasi marzhi i fitimit është i ulët dhe çmimet nuk mund të rriten më tej. Ai tha se ka rritur stimujt për punonjësit, duke aplikuar sistemin e bonusit për punonjësit me rezultate. Por nëse presioni për fuqi punëtore do të rritet më tej, atëherë do të marrim në konsideratë transferimin e aktivitetit diku tjetër, tha Goga.
Prej dy vitesh, bizneset shqiptare vlerësojnë mungesën e fuqisë punëtore si një nga problemet madhore në aktivitetet e tyre. Deri para dhjetë vitesh, ky shqetësim nuk ekzistonte, por vetëm aftësitë në punë. Eva Laro, e cila ka në pronësi dhe drejton kompaninë e prodhimit të këpucëve ProDyn për tregjet gjermane, thotë se kompanitë shqiptare kanë ende hapësira për përmirësimin e produktivitetit. Sipas saj, në këtë industri, ndikimi negativ në produktivet dhe në rezultate nuk vjen vetëm nga kosto shtesë e pagave, por edhe nga mungesa e një përqasje të strukturuar në proceset parapërgatitore. Laro beson se ka një probabilitet të madh të humbjes së produktivitetit për shkak moskoordinimit që krijohet gjatë prodhimit dhe vendimeve të vonuara në zgjidhjen e problemeve.
Për shkak të problemeve që ka krijuar forca e punës dhe nënçmimit të Euros në këmbim me Lekun, fitimet e eksportuesve në tërësi janë ulur ndjeshëm këtë vit. Eksportet e tekstileve e këpucëve, grupi më i madh në vend, për 10-mujorin, arritën në 100 miliardë lekë, me një tkurrje prej 3% me bazë vjetore. Ky grup zë 40% të totalit.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në vendin tonë, Nikolin Jaka, tha se forca e punës, përveçse në pakësim, ka përkeqësim cilësor që po vjen nga mospërshtatja e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, ndërkohë që sipas të dhënave të INSTAT, rreth 30% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë. Po ashtu, 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.
Zhvillimet demografike do ta vënë biznesin para dy zgjedhjeve në pesë vitet në vijim. Bizneset që prodhojnë, ose ofrojnë shërbime për tregun vendas, do t’u duhet të rrisin çmimet për të përballuar paga më të larta për punonjësit, ndërsa bizneset eksportuese shikojnë si opsion edhe transferimin e aktivitetit në vende të tjera.
Pagat si mekanizëm stimulues
Altin Prenga, nga Mrizi i Zanave, i cili zotëron njësinë më të madhe të agroturizmit në vend, tha se, bizneset shqiptare duhet të ndryshojnë qasjen ndaj trajtimit të fuqisë punëtore, sidomos në drejtim të pagesave. Z. Prenga u shpreh se pagat në biznesin e tij për çdo hallkë të shërbimit janë vetëm 20 deri në 30% më të ulëta se në Itali. Me këtë pagë, asnjë i ri nuk do të dëshironte të shndërrohej në një punonjës sezonal në Itali, Greqi apo gjetkë, pasi nuk do të kishte leverdi. Ai pohoi se, vetë gërmadha që po krijon emigracioni mund të shndërrohet në një vetërregullim, pasi bizneset do të detyrohen të ofrojnë paga më të larta. Kjo ndikon shumë shpejt në frenimin e emigrimit të të rinjve, tha Prenga.
Por modeli i biznesit që ka ndërtuar ai, e përballon rritjen e pagave. Vit pasi viti, Prenga ka krijuar ekonominë e shkallës, duke futur në një cikël të standardizuar në furnizime nëpërmjet stimulimit të ekonomisë së shkallës. Duke shfrytëzuar njohuritë e larta në sektorin e kulinarisë dhe duke ulur kostot në zinxhirin e furnizimit, kundrejt një kërkese në rritje, zoti Prenga ka rritur ndjeshëm produktivitetin e kompanisë, duke përballuar në këtë mënyrë edhe rritjen e pagave për punonjësit e tij.
INSTAT raportoi se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, rritja më e madhe e pagave shkoi për sektorin e turizmit me 13%. Ky ishte ritmi më i lartë i rritjes në raport me sektorët e tjerë, por sipas të dhënave zyrtare, rritja e pagave në sektorin privat dy vitet e fundit ka qenë më e lartë se në sektorin shtetëror. Paga mesatare bruto në sektorin privat në gjysmën e parë të vitit 2019 ishte 4.8%, ky ishte niveli më i lartë i rritjes që nga viti 2014, vit kur INSTAT nisi të maste këtë tregues. Pagat janë rritur në mënyrë graduale, pa mundur të ushtrojnë presion në inflacion.
Burimi: INSTAT
Hapësira të kufizuara për rritjen e pagave
Bizneset e sektorit fason dhe ato të call center që prodhojnë mallra dhe ofrojnë shërbime për eksport e kanë të pamundur që të përdorin pagën si një mjet frenues, për të mbajtur stabël forcën e punës. Gjergj Liqejza, nga kompania Madish, tha se gjatë këtij viti ka humbur një nga kontraktorët e tij më të fortë, për shkak se ai gjeti çmime të lira për porositë në një vend tjetër.
Pak e shumë të njëjtën situatë pohoi edhe Lorenc Goga, i cili drejton Facile.it, që ushtron shërbime call center. Goga tha se instrumenti i pagave nuk është efikas për sektorin e tij, pikërisht për shkak të konkurrueshmërisë në pagesa, këto shërbime ofrohen nga Shqipëria. Ai tha se politikëbërësit mund të shohin disa metoda nxitje që mund të ndihmojnë bizneset me forcën e punës. Për shembull, mësimi i italishtes me detyrim në shkolla është një mundësi. Të rinjtë e sotshëm nuk janë të lidhur me gjuhën italiane si të rinjtë e viteve 1990, prandaj Shqipëria është duke humbur avantazhin që kishte deri më sot. Goga tha se njohuritë mbi italishten e ndihmojnë një gjimnazist të punojë sapo të ketë mbaruar shkollën dhe në këtë mënyrë, të financojë edhe studimet e tij.
“Një i ri që sapo mbaron shkollën e mesme, që nuk di italisht, sot mund të punësohet vetëm si kamerier ose si shitës me pagë minimale dhe orare çnjerëzore, ndërkohë në sektorin tonë ka mjaft kompani serioze që respektojnë Kodin e Punës dhe kanë paga më të larta sesa në shumicën e çdo sektori tjetër. Ne kërkojmë vetëm që të flasin italisht, të tjerat ia mësojmë ne me trajnime të brendshme” – shtoi ai. Aktualisht, rritjen e pagave si instrument për stimulin e fuqisë punëtore po e përdor sektori i turizmit dhe agroindustrisë. Sipas INSTAT, pagat në sektorin e shërbimeve të nxitura nga turizmi shënuan rritjen më të lartë vitin e kaluar. Kërkesa në rritje për turizëm në vendin tonë po e vë zhvillimin e sektorit në baza të qëndrueshme.
Fatos Cerenishti, i cili drejton FAFA Resort në Durrës, tha se ofron paga të larta për disa kategori profesionesh, si kuzhinier dhe menaxher, por e ka të vështirë të gjejë profesionistë. Në sezonin e verës së këtij viti, ai punësoi disa kuzhiniere turq për shkak të pamundësisë për të gjetur të tillë nga tregun vendas. Bizneset e turizmit pohojnë se mungesa e punonjësve po krijojnë problematikë të mprehtë në sektor. Përveçse nuk ka punonjës, edhe ata që janë, nuk janë profesionistë.
Burimi: INSTAT
Si po shteron forca e punës
Shkalla e papunësisë ka pësuar ulje të ndjeshme vitet e fundit duke çuar drejt maturimit forcën e punës. Sipas të dhënave zyrtare, papunësia ka arritur në 11.5% për popullsinë mbi 15 vjeç në fund të tremujorit të dytë të vit, ndërsa sipas projeksioneve të qeverisë, në vitin që vjen treguesi i papunësisë pritet të thyejë një tjetër rekord, duke shkuar 11% ose më poshtë. Rënia e papunësisë po stimulohet nga pakësimi i popullsisë në moshë pune, si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve pas viteve 990, teksa kërkesa për punonjës në fabrika dhe sektorin e turizmit po rritet.
Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia në moshë pune ra me 8424 persona në vitin 2019. Rënia ndër të rinjtë ishte edhe më e fortë, pasi në grupmoshën 15-29 vjeç në vitin 2019 ishin 14,288 persona më pak se në vitin 2018, ndërsa në raport me vitin 2015, numri i personave në këtë grupmoshë ra me mbi 42 mijë persona. Rënia drastike e të rinjve është kompensuar disi me rritjen e popullsisë mbi moshën 30 vjeç. Popullsia 30-64 vjeç u rrit me 5800 persona vitin e kaluar, por popullsia në moshë pune rezultoi me 8424 persona më pak këtë vit në raport me një vit më parë. Rënia e popullsisë në moshat e reja shihet të jetë faktori kryesor që ka reduktuar papunësinë ndër të rinj në vitet e fundit. INSTAT raportoi se, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e parë të vitit 2019 është 2,3 pikë përqindje më e ulët.
Me zhvillime të ngjashme janë duke u përballuar edhe vendet europiane. Forca e punës në vendet e zhvilluara do të bjerë me shpejtësi pas viteve 2020 dhe kjo do të shërbejë si gravitet për emigrimin e mëtejshëm të të rinjve shqiptarë. Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike, thotë se për shkak të rënies së forcës së punës, vendet e lira të punës po rriten me shpejtësi. Të dhënat e Eurostat tregojnë se 76.3% e firmave në industrinë hungareze raportuan në tremujorin e parë të 2019 se mungesa e fuqisë punëtore ishte një pengesë kryesore për prodhimin. Pesë vite më parë, vetëm 20% e ndërmarrjeve e konsideronin problem mungesën e fuqisë punëtore. Një situatë e ngjashme raportohet edhe në Gjermani, Poloni, Sllovaki etj.
Studimi lajmëron se mungesa e fuqisë punëtore do të bëhet sistematike, madje edhe për aftësi të ulëta pune, por sfidat mund të jenë akute në sektorë të caktuar. Sondazhet e ndryshme tregojnë se për disa profesione dhe industri specifike, forca e punës po shuhet, pasi edhe edukimi nuk po përshtatet shpejt me kërkesat e tregut. Këto zhvillime po çojnë në rritje të kostove të punës, sidomos në Europën Lindore.
Duke qenë se hendeku i pagës minimale në Shqipëri me atë në BE është më shumë se 7-fish, tendenca për emigracion do të vijojë të jetë e fortë sipas të dhënave.
Forca e punës në Shqipëri (popullsia në moshën 15-64 vjeç) është relativisht pak e arsimuar në krahasim me rajonin dhe vende të tjera në zhvillim dhe shumë më pak e arsimuar në raport me mesataren e Bashkimit Europian. Duke analizuar indikatorët e zhvillimit botëror, të azhurnuar nga Banka Botërore, rezulton se Shqipëria ka rreth 50% të forcës së punës me arsim 8-vjeçar në 2016. Në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, forca e punës dominohet nga niveli i mesëm dhe i lartë i arsimit. Nga 20 vendet në zhvillim të Europës, Turqia dhe Shqipëria renditen të parat për fuqinë e madhe punëtore me nivel të ulët të arsimit. Në Turqi, rreth 60% e forcës së punës është me arsim primar. Ndërsa vendet baltike si Rusia, Estonia dhe Lituania kanë përqindjet më të larta të forcës së punës me arsim të lartë.
Po sipas INSTAT, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjve preferojnë “shkencat sociale, biznes dhe ligj”, ku në vitin 2016 ishin të regjistruar 53 mijë studentë, ose 37% e totalit. Në vend të dytë është shëndeti dhe mirëqenia (shëndetësia), me 24.4 mijë studentë, ose 15% të totalit. Në shkencat inxhinierike ka 18 mijë studentë, ose 12% të totalit. Një pjesë e madhe e studentëve apo të rinjve që mbarojnë shkollën, sot punojnë në sektorin e call center, apo së fundmi në kompanitë që ofrojnë shërbime forex (ku po diversifikohet sektori call center që po vuan presionin e qeverisë italiane), ku vlerësohet se janë të punësuar mbi 25 mijë të rinj. Aftësia kryesore e kërkuar është njohja e gjuhëve të huaja.
Fabrikat kanë hapësira për të rritur produktivitetin
Si në shumë drejtime të tjera, edhe në sektorin prodhimit industrial, ka vend për përmirësime në drejtim të produktivitetit. Eva Laro, një sipërmarrëse e re në sektorin fason, po ngjitet në krye të tregut me shpejtësi falë përmirësimit në procesin e prodhimit që sipas saj i shkurtojnë kostot.
Laro tha se, pagat në fabrikën e saj janë bazë të performacës dhe aftësive, por biznesi i saj po rritet, duke minimizuar defektet në proceset e prodhimit. Ajo mendon se rritja e pagave pa zgjeruar prodhimin shton kostot e aktivitetit dhe ka ndikim negativ.
“Mendoj që në këtë industri, ndikimi negativ në produktivet dhe në rezultate nuk vjen vetëm nga kosto shtesë e pagave, por edhe nga mungesa e një përqasje të strukturuar në proceset parapërgatitore. Ka probabilitet të madh të humbjes së produktivitetit gjatë procesit të prodhimit, kur nuk ka parapërgatitje të mira dhe vendime të vonuara në zgjidhjen e problemeve. Ne kemi gati një vit e gjysmë që po punojmë në këtë drejtim, e vazhdon ende rruga e gjatë e përmirësimit” – tha Laro.
Fabrikat shqiptare, me një përvojë gati 30-vjeçare, nuk kanë bërë shumë përparime në proceset e prodhimit, për shkak të varësisë së lartë që ka puna me material porositësi. Kjo do të thotë se në Shqipëri realizohen vetëm disa procese të prodhimit shpesh dytësore, pa vlerë të shtuar. Personeli që punon në fabrika nuk ka formim të posaçëm dhe për rrjedhojë menaxhimi i proceseve të prodhimit dhe problemet që krijohen nga logjistika ka vend për përmirësim.
Jaka: Bizneset, në alarm për punonjës
Sektorët që sigurojnë punësim masiv si bujqësia, fasoni, turizmi kanë dhënë alarmin për mungesën e fuqisë punëtore, për vitin 2019, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka. Pagat e ulëta dhe emigracioni i lartë janë shkaqet kryesore, teksa bizneset kanë mbetur pa zgjidhje dhe natyrisht nuk mund të bëhet fjalë për produktivitet të ekonomisë. Jaka thotë se në përgjithësi nuk po ikin 20-vjeçarët, por ata që kanë krijuar një përvojë, kanë një familje të re, apo kanë në plan që të krijojnë familje.
Ai është i shqetësuar se forca e punës, përveçse në pakësim, ka përkeqësim cilësor që po vjen nga mospërshtatja e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, ndërkohë që sipas të dhënave të INSTAT, rreth 30% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë. Po ashtu, 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish. Ndihet një lëvizje e punonjësve të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar drejt Gjermanisë. Kërkesa për punë në tregun gjerman u zgjerua përtej pozicioneve të kërkuara prej kohësh, tashmë si IT, doktorë dhe infermierë, por edhe në pozicione të tjera të mesme, si berber, shofer kamionësh, muratorë etj.
Pagat në ekonomi pritet të rriten me ritme më të përshpejtuara vitet në vijim, për shkak të ndryshimeve strukturore në tregun e punës. Kërkesa e lartë për punësim në disa sektor, teksa forca e punës ka ndalur rritjen, do të krijojë kushtet për rritjen e pagave në vitet në vijim. Banka e Shqipërisë parashikon se, për këtë arsye, gjatë periudhës afatmesme inflacioni do të ndikohet nga rritja e pagave.
Situata politike në vend, mungesa e një mjedisi miqësor për biznesin, sigurisht që ndikon negativisht për klimën e punësimit dhe të rritjes së pagave. Ndërkohë në një situatë të tille, edhe produktiviteti dhe konkurrueshmëria e ekonomisë së vendit ulet ndjeshëm.
Shqiptarët po arsimohen për të ikur
Dëshira për të migruar në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore mund të shërbejë si nxitje për arsimim, kualifikim profesional dhe mësimin e gjuhës së huaj nga ana e emigrantëve potencialë. Sipas një interviste të zhvilluar në Institutin Goethe në Tiranë, numri i të rinjve që mësojnë dhe marrin dëshminë e gjuhës gjermane është rritur tre herë në vitin 2017, në krahasim me vitin 2013. Në shumë nga intervistat e realizuara nga CESS-i me azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania vërehej interesi për të kryer shkolla profesionale në mënyrë që t’u përshtaten kërkesave të tregut të punës në këtë vend, në rast të një migrimi të mundshëm.
Interesi në rritje i emigrantëve potencialë për arsim dhe trajnim profesional provohet edhe nga të dhënat e anketës së emigrimit potencial, 2018. Thuajse 85% e emigrantëve potencialë dëshirojnë të marrin pjesë në një trajnim në Shqipëri, për t’u përgatitur për të jetuar dhe për të punuar jashtë vendit. Emigrantët potencialë që dëshirojnë të marrin pjesë në këto kurse, shprehin më shumë interes për mësimin e gjuhës së huaj (72.3%), trajnim profesional (39.1%), orientim kulturor (22.9%) dhe studime universitare (17%).
Interes për t’u përgatitur për të punuar dhe për të jetuar në vendin e migrimit ka një rritje të dukshme në krahasim me anketën e vitit 2007, kur vetëm 48.7% e migrantëve potencialë shprehte këtë dëshirë. Kjo dëshirë duhet mbështetur, sepse rrit kapitalin human të vendit dhe atë të migrantit potencial. Të dhënat e anketës tregojnë se studentët dhe të punësuarit janë më të prirë të migrojnë në krahasim me të papunët, të vetëpunësuarit dhe shtëpiaket. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk parandalon emigrimin.
Pagat e ulëta, faktor për emigracion të lartë
Një anketë e Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike vitin e kaluar tregoi se kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të emigrojnë. Të dhënat e anketës tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë. Anketa mbi potencialet e emigrimit gjeti se punonjësit e call center, që përgjithësisht janë me universitet, ose vazhdojnë studimet dhe përgjithësisht zotërojnë një gjuhë të huaj, duan të ikin. 85% e të anketuarve në këtë sektor pohuan se duan të ikin. Gjithashtu 75% e infermierëve, 56% e punonjësve në sektorin e ndërtimit duan të ikin, 53% e rrobaqepësve dhe 38% e atyre që punojnë në fabrikat e këpucëve.
Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem madhor për të gjithë sektorët. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira.
Lorenc Goga, administrator i Facile.it, një kompani që ofron shërbime në web marketing, pohoi se po ndien mangësi të fuqisë punëtore për të gjitha profilet që nga operator i thjeshtë deri në nivele të larta menaxhimi.
Industria fason, bujqësia dhe turizmi, kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë. Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler, pohon se “vala e migracionit po bën që ndërmarrja të zbrazet nga mëngjesi në darkë dhe ty si biznes të duhet të gjesh mënyrën sesi t’i zëvendësosh”. Situata është shumë e dukshme, sidomos në disa zona të vendit si Librazhdi, Puka apo të ngjashme. “Kompanitë sot nuk mund të shkojnë dhe të hapin një filial të ri në këto zona, sepse nuk ka forcë të mjaftueshme pune. Edhe ata që kanë tentuar, janë kthyer sërish në Tiranë” – pohoi ai.
Në vështirësi për punonjës janë edhe bizneset e fasonit në Shkodër, Durrës dhe Korçë. Kompania Grori në Durrës, me aktivitet në fasoneri, pohoi se vitin e kaluar ishin 300 vende pune të paplotësuara, ndërkohë që mungonte tërësisht kërkesa për punë. Mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit./Monitor