Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” ka bërë të ditur se Serbia ka një “plan B”, nëse dështon anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Agjencia në fjalë shkruan se teksa nga BE dalin informacione se mund të ketë një partneritet të veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor në vend të anëtarësimit, ky plan është hartuar tashmë nga Serbia.
Ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ai i cili insistoi në hartimin e planit për bashkëpunimin rajonal të zgjeruar. Ndërkohë, sipas një burimi pa emër nga qarqet diplomatike, ky do të ishte modeli i një bashkimi ekonomik të vendeve brenda rajonit, për të bashkëpunuar me BE-në derisa të arrihet anëtarësimi i plotë nga secili vend.
“Ballkani Perëndimor duhet të lidhet më mirë. Do të ishte model i një bashkimi ekonomik, në të cilin të gjitha vendet të bashkëpunojnë, forcojnë tregjet e tyre ekonomikisht dhe, kur të vijë koha për t’u anëtarësuar në BE, hyni në BE si vende të forta ekonomikisht”, tha një burim për të përditshmen “Kurir”.