I dërguari Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka zbuluar strategjinë e Washingtonit sa i përket Ballkanit. Sipas të përditshmes serbe Novosti, Palmer ka konfirmuar se qëllimi i SHBA-së është që Beogradi dhe Prishtina ta njohin pavarësinë e njëra-tjetrës. Washingtoni dëshiron që ta çlirojë Ballkanin nga “përqafimi i Rusisë”, duke i nxitur vendet e rajonit drejt NATO-s, kurse Beogradin dhe Prishtinën synon t’i detyrojë ta njohin njëra-tjetrën, transmeton “Telegrafi”.
Sipas kësaj të përditshme serbe, në arritjen e këtyre qëllimeve SHBA po përgatit tërë “arsenalin” kundër Serbisë, përfshirë këtu edhe Rezolutën për vëllezërit Bytyqi të miratuar disa ditë më parë në Kongresin amerikan. E pikërisht për këtë strategji ka folur Matthew Palmer, zëvendësndihmës i Sekretarit amerikan dhe njëherazi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Duke folur para Këshillit për Punë të Jashtme në Senat, Palmer ka porositur se në mesin e prioriteteve të shumta të SHBA sa i përket Ballkanit, është normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Ai tha se SHBA pret nga Qeveria e re në Kosovë ta heqë taksën për mallrat serbe, duke shtuar se ka qortuar Serbinë që të mos vazhdojë me fushatën “për deligjitimimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”. “Me fushatën që e ka bërë për t’i bindur vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit nëpër organizata ndërkombëtare siç është Interpoli, Beogradi vetëm sa i ka bërë më keq bashkëpunimit të policisë ndërkombëtare, duke prishur atmosferën e kompromisit”, ka deklaruar Palmer.
Sipas zyrtarit amerikan një veprim i tillë ngadalëson përparimin e arritjes së marrëveshjes, për të cilën Serbia ka nevojë nëse dëshiron të jetë në BE. Gjithashtu Palmer tha se SHBA-të janë të gatshme që me një angazhim më të madh politik të ndihmojnë palët të arrijnë marrëveshje. Në anën tjetër ka kritikuar BE-në për bllokadën që i kanë bërë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke dërguar një mesazh të keq te Beogradi dhe Prishtina, të cilat do ta kuptojnë këtë si një akt që sado që do ta bënin një gabim të vogël apo të marrin ndonjë vendim, nuk do t’i afrohen familjes së madhe evropiane. Një situatë e tillë sipas Palmerit, i mundëson Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë ta forcojnë ndikimin në Ballkan, raporton “Telegrafi”.
“Qëllimi primar i Rusisë është që të pengojë integrimin e Ballkanit në BE dhe NATO, ta mbajë të ndarë, të dobët dhe të varur nga përkrahja politike e Moskës dhe gazit të saj. Rusia dëshiron të ndalë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës. Mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë, është aduti kryesor i Moskës kur është fjala për Serbinë”, ka shtuar Palmer.