Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA do të heqin sanksionet ndaj Turqisë, duke thënë se ai është informuar nga Ankaraja se armëpushimi i saj në ofensivën kundër kurdëve në Sirinë verilindore do të jetë i përhershëm. “Herët në mëngjes, Turqia informoi administratën time se ata do të ndalin luftimet dhe ofensivën e tyre në Siri, duke e bërë armëpushimin të përhershëm dhe ai vërtet do të jetë i përhershëm”, tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, shtoi Presidenti, “fjala e përhershme në atë pjesë të botës është disi e diskutueshme”.
“Sanksionet do të hiqen nëse nuk ndodh diçka për të cilën ne nuk jemi të kënaqur”, tha Presidenti Trump. Turqia tha të martën se nuk ka “nevojë” ta vazhdojë ofensivën e saj ushtarake kundër kurdëve sirianë, duke thënë se SHBA i ka thënë Ankarasë se tërheqja kurde nga kufiri verior i Sirisë është e plotë.
Turqia e bëri njoftimin e saj disa orë pas përfundimit të armëpushimit pesë-ditor në ofensivën ushtarake turke në zonën e sigurt kurde në veri të Sirisë. Kurdët sirianë luftuan përkrah forcave amerikane kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Por Turqia i shikon ata si të lidhur me separatistët kurdë që luftojnë prej një kohe të gjatë për autonomi brenda Turqisë. Turqia i quan kurdët terroristë.
Turqia e nisi ofensivën e saj pasi Presidenti Trump urdhëroi gati të gjitha forcat amerikane të tërhiqeshin nga Siria veriore dy javë më parë. Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, arritën një marrëveshje të martën mbi kontrollin e përbashkët të rajonit kufitar sirian.
Videot e siguruara nga shërbimi kurd i Zërit të Amerikës tregojnë automjete ushtarake ruse duke hyrë në qytetin Kobani, në kufirin me Turqinë. Sipas marrëveshjes, luftëtarët kurdë do të mbahen 30 kilometra nga i gjithë kufiri turko-sirian prej 440-kilometrash, dhe do të tërhiqen nga qytetet Manbij dhe Tel Rifaat. Ndërkohë, sekretari amerikan i mbrojtjes Mark Esper mbërriti në Bagdad të mërkurën për bisedime me zyrtarët irakianë lidhur me arritjen e trupave amerikane të tërhequra së fundmi nga Siria veriore.
Shtatëqind ose më shumë trupa janë zhvendosur në Irakun perëndimor, ku tashmë ndodhet një kontigjent ushtarak amerikan prej 5,000 vetësh. Kurdët e zemëruar e gjuajtën një kolonë amerikane me patate të kalbura ndërsa ajo drejtohej për në Irak. Sekretari Esper ka thënë që trupat shtesë do të ndihmojnë në mbrojtjen e Irakut dhe do të jenë aty për të kryer operacione antiterroriste kundër kryengritësve të Shtetit Islamik brenda Sirisë. Por qeveria e Irakut thotë se trupat nuk kanë leje të qëndrojnë në vend. Gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite, shefi i Pentagonit tha se “përfundimisht destinacioni i tyre është kthimi përsëri” në Shtetet e Bashkuara. /VOA