Presidenti Ilir Meta ka takuar ditën e sotme këngëtaren shqiptare Inis Neziri e cila triumfoi në Festivalin Ndërkombëtar Muzikor “New Wave Festival 2019”. Kreu i Shtetit ndër të tjera shkruan në Facebook se “është shumë e rëndësishme të mbështesim shembuj dhe modele pozitive të rinjsh si Inisi, që ngrenë lart emrin e Shqipërisë në skenat e huaja”.
Postimi i plotë i Metës: “Kënaqësi të takoja sot Inis Nezirin, këngëtaren tonë të talentuar, e cila meritoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar Muzikor “New Wave Festival 2019”, me këngën “Piedestal”.
Është shumë e rëndësishme të mbështesim shembuj dhe modele pozitive të rinjsh si Inisi, që ngrenë lart emrin e Shqipërisë në skenat e huaja, duke u ofruar mundësi dhe kushte që të ardhmen e tyre ta shikojnë këtu dhe jo duke u larguar jashtë vendit. E falënderova Inisin dhe për kontributin e saj të spikatur si vullnetare aktive e “Kryqit të Kuq Shqiptar”, duke shërbyer me përkushtim e dashuri për shtresat në nevojë”.