Presioni ndërkombëtar dhe zërat se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po shkojnë drejt një pakti, sa i takon reformës zgjedhore, ka ngritur alarmin tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Gazeta e ka deklaruar se PD dhe PS po shkojnë drejt një pakti, ndërkohë që edhe zyrtarët e mazhorancës, madje dhe vetë kryeministri Edi Rama kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit për demokratët, duke iu kujtuar atyre se e kanë një karrige bosh në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.
Por ideja e një bashkëpunimi mes demokratëve dhe socialistëve duket se e ka trembur LSI-në. Gazeta ka mësuar se ditët e fundit ka nisur një sherr i fortë Basha-Kryemadhi, përplasje këto të cilat janë reflektuar edhe në bazë. Sipas informacioneve, shkak i këtyre përplasjeve është reforma zgjedhore. Duke qenë se PS dhe PD kanë shprehur interes për të komunikuar me njëra-tjetrën për reformën zgjedhore, LSI nuk e pëlqen një lëvizje të tillë, pasi ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të ishte fatal për partinë e Kryemadhit.
Momentalisht në tryezën e komisionit të posaçëm të reformës është një draft, i cili favorizon partitë e mëdha, sikundër janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Ndërkohë që, me ndryshimin e sistemit zgjedhor do të ndryshojnë edhe komisionarët që do të merren me zgjedhjet, pasi ata nuk do të jenë më pjesë e partive politike, por do të jenë të politizuar.
Ata do të propozohen nga shoqëria civile, dhe do të jenë nëpunës civil. Mirëpo, fakti që ata do të jenë nëpunës civil nuk i shkon për shtat Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi shumica e tyre i përkasin PD-së dhe PS-së, duke nxjerrë kështu jashtë loje LSI-në. Kështu që, sipas burimeve LSI ka dalë hapur kundër procesit, pasi nuk i leverdis që PD të jetë pjesë e komisionit. Në këtë kontekst, burime të sigurta i thanë gazetës se një nga arsyet se përse ka nisur një sherr i madh mes Bashës dhe Kryemadhit, është pikërisht reforma zgjedhore. Ajo që e vërteton këtë janë dhe zhvillimet e djeshme. Kreu demokrat Basha ka mbledhur dje në një darkë informale në Ishëm aleatët e tij Agron Duka, Dashamir Shehi, Nard Ndoka dhe Fatmir Mediu. Por sipas burimeve në takim mungonte Monika Kryemdhi. Kjo tregon qartë krisjen mes tyre.
Basha dhe Kryemadhi në sherr
Por përveç reformës zgjedhore, një tjetër arsye që ka futur në sherr kryedemokratin Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, është një deklaratë e bërë nga kjo e fundit javën e parë. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, Kryemadhi i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Bashës, duke i kujtuar se partia e saj nuk është vasale e Partisë Demokratike.
“Fronti opozitar nuk është një ngjyrë partiake, nuk është me njerëz të cilët janë puzzlet e njëri-tjetrit dhe që plotësojnë kërkesat e njëri-tjetrit”, deklaroi ajo. Por kjo deklaratë e Kryemadhit nuk është pritur mirë nga selia blu, teksa disa burime i thanë gazetës se LSI dhe PD tanimë janë pozicionuar larg njëri-tjetrit. Megjithatë, qëndrimet e dukshme dhe ndasitë, Kryemadhi do t’i bënte publike disa ditë më parë duke e shprehur se LSI-ja është e gatshme që të hyjë në zgjedhje parlamentare, dhe duke qenë Rama si kryeministër. Intervistat e njëpasnjëshme dhe të sinkronizuara edhe me Presidentin Ilir Meta, i cili do të dilte dhe të aludonte për një pakt të ri politik Rama-Basha, tashmë po e shtyjnë LSI-në të rishohë pozicionimin e saj politik, por që me gjasa mund të rezultojë fatal për të.
PD: Opozita e gatshme për dialog me PS
Zërat se PD dhe PS po shkojnë drejt tryezës së dialogut nuk i ka mohuar as vetë Partia Demokratike. Ka qenë nënkryetari i PD, Edmond Spaho, i cili gjatë një prononcimi për mediat dje pohoi se Partia Demokratike është e gatshme të ulet në dialog me mazhorancën, për zgjidhjen e krizës politike. “Ne e kemi shprehur gatishmërinë për të zgjidhur krizën politike. PD është e gatshme të ulet në dialog për zgjidhjen e krizës politike, nëse mazhoranca dhe vetë kryeministri Rama nuk do të refuzojë zhvillimin e negociatave. Kështu që, platforma për zgjidhjen e krizës do të jetë edhe oferta e demokratëve për PS për zgjidhjen e krizës. Në këtë platformë do të pasqyrohen qëndrimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe çështje të tjera që do të kërkojnë dialog me shumicën”, deklaroi Spaho. /Gazeta SOT