Ditën e sotme në Gjirokastër, u zhvillua ceremonia për përkujtimin e viktimave në radhët e nacionalistëve në Luftën e Grehotit.
Mirëpo asgjë nuk ka shkuar ashtu sic ishte e planifikuar, pasi ka nisur një sherr mes përfaqësuesve të partisë Balli Kombëtar dhe kryetarit të partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi.
Britma, sharje dhe deri përplasje fizike në vendin ku prehen eshtrat e disa prej krerëve nacionalistë të ekzekutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përfaqësuesit e partisë Balli Kombëtar kanë sulmuar dhe akuzuar si tradhtar kryetarin e partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi.
Ndërkohë, kreu i PD-së Gjirokastër, Dasho Aliko ka treguar në një lidhje telefonike për News24 se çfarë ka ndodhur sapo në ceremoni ka shkuar i paftuar Artur Roshi, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat.
“Sot është 14 shtatori, 76-vjetori i të rënëve në luftën në Grehot që u vranë nga sistemi i kohës. Kur ishim gati duke filluar homazhet, erdhi dhe zoti Roshi që ishte i paftuar dhe u fut në turmë. Ne nuk mund të pengonim askënd.
Një grup tjetër i vendosur nga Alimadhi (Adriatik Alimadhi, kreu i Partisë Balli Kombëtar, aktualisht deputet) erdhi dhe filluan të debatonin përse Roshi është këtu, ata janë tradhtarë. Konflikti ishte mes Roshit dhe pjesës tjetër të përfaqësuesve. Mendoj se ishin futur nga Alimadhi, megjithëse ata i shanë të dy deputetët që janë futur në Kuvend. Më erdhi keq sepse ceremonia ishte e organizuar nga PD. Mendoj se ishte një luftë mes dy Partive të Ballit për zona influence. Ata nuk kishin asgjë me PD, madje na thanë përse ka ardhur Roshi këtu. Ata thanë se ju shkelët gjakun e të rënëve sepse shkelët në një parlament që drejtohet nga ata që i kanë vrarë”, tha Aliko.