Avokati i njohur Spartak Ngjela, teksa komenton zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta, thotë se çoroditjet e kanë kthyer në mbrojtjen e tij. Një ditë më parë, Presidenti i Shqipërisë, në konferencën për mediat foli sërish për skenarët për djegien e Kuvendit. Kreu i Shtetit tha se ka pasur informacione të plota dhe nuk kishte pse të gënjente, pasi sipas tij, ai kurrë nuk ka thënë asnjë gënjeshtër.
“Kjo është e vërtetë, unë nuk kam thënë asnjë herë ndonjë gënjeshtër. Nuk mund të them diçka më shumë në respekt të ligjit. Komisioni ka të gjitha mundësitë që të njihen me atë informacion. Nuk besoj se kjo gjë ka ndodhur para 100 vitesh, ndoshta se kemi bërë pushime dhe na duket sikur situata ka qenë shumë e thjeshtë dhe e qetë. Ajo që mund të them është se në këtë dokument do të jepen të gjitha momentet e atyre ditëve. Do shikoni që ka qenë një situatë shumë e çmendur dhe këtë gjë e ka treguar dhe raporti i OSBE-së”.
Lidhur me këtë deklaratë, Spartak Ngjela ka parashtruar disa pyetje për Metën, ndërsa kërkon të dijë se a nuk është në gjendje që të ndalojë djegien e mundshme të Parlamentit me forcën e shtetit?!
Statusi
Çoroditja e Metës, vazhdon ta kthejë mbrojtjen e tij në fajësi…
Meta deklaroi se “Parlamenti nuk është i plotë… kjo është krizë përfaqësimi”.
Jo, zoti Meta, kjo nuk është krizë përfaqësimi, është sakrificë në përfaqësim, për të ndëshkuar të korruptuarit. Largimi i deputetëve PD dhe LSI, dhe futja në Parlament e deputetëve zëvendësues me arsye krejt e krejt ligjore nuk dha krizë, por sukses për Reformën në Drejtësi. Ky ishte sukses historik, sepse sot shqiptarët janë mu në prag të shpëtimit: në Shqipëri tani posa ka filluar antikorrupsioni si proces.
Meta tha gjithashtu që “jam shtyrë për të zhvendosur me dekret datën e zgjedhjeve të dekretuara, sepse kisha të dhëna se do të digjej Parlamenti “.
Nuk është profesionist prandaj gënjen, duke rënduar veten.
Për këtë rast, pyetjet enigmë janë këto:
Po mirë, ky President, nuk ka qenë fare në gjendje ta ndalonte djegien e mundshme të Parlamentit me forcën e shtetit?
Po mirë, nuk mundej ky President të lajmëronte kryeministrin e ti kërkonte atij shpalljen e masave drastike: nga ndalimi i protestës e deri te vendosja e pjesshme e gjendjes së jashtëzakonshme?
Pse nuk ka bërë Meta asnjë nga këto?
Sepse ka pritur djegien, domethënë destabilizimin e Shqipërisë, ngaqë vetë rrezikohet nga Reforma në Drejtësi kur të fillojë procesi antikorrupsion. Domethënë, Meta është kundër reformës?
Sigurisht. Këtu ka qenë e gjithë loja e tij antikombëtare…