Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se ka marrë konfirmimin për mbështetje nga Çekia dhe se lajmet për mundësinë e ç’njohjes nga ky vend nuk janë të sakta. Presidenti çek, Millosh Zeman, dje në Beograd i tha homologut të tij serb, Aleksander Vuçiç, se nuk e do Kosovën dhe se Republika Çeke do ta tërheqë njohjen e saj.
Ndërkohë së fundmi ka reaguar Pacolli përmes një postimi në Twitter: “Republika Çeke sot përmes Ministrit të saj të Punëve të Jashtme Tomáš Petříček ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe integrimin e saj në BE, NATO dhe Organizata Ndërkombëtare. Miqësia dhe partneriteti ynë është i fortë si guri. Ju bëj thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”.
Kryediplomati kosovar thotë se nuk ka asnjë ç’njohje të pavarësisë së Kosovës: “Nuk ka asnjë ç’njohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Unë i jam mirënjohës homologut tim Ministrit të Jashtëm Tomáš Petříček për mbështetjen e tij dhe të popullit dhe qeverisë së Republikës Çeke”.