Uniformat blu ende nuk kanë asnjë të dyshuar apo prangosur, lidhur me atentatin mafioz ndaj Santiago Malkos. Grupi hetimor ka sekuestruar një sërë pamjesh filmike në zonë, që tregojnë dinamikën e ngjarjes, që nga ndjekja me makinë dhe deri te ekzekutimi pranë një lavazhi, në zonën e Kinostudios.
Mësohet po ashtu se policia po verifikon edhe takimin e fundit të ish-policit me një mikun e tij. I ndjeri është takuar me një shok, para se të vritej në atentat, por po verifikohet nëse Santiago Malko i ka thënë ndonjë detaj mikut të tij, që mund të tregojë se ai e kishte kuptuar që një automjet po e ndiqte.
Pistat e hetimit
Pista kryesore e hetimeve është përqendruar te hakmarrja dhe gjobëvënia. Santiago Malko dyshohet se ishte pjesë e një grupi me rrezikshmëri të lartë në Tiranë.
Santiago mendohet si i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por asnjëherë policia nuk ka patur prova për arrestimin e tij.
Edhe në ngjarjen e ish-Bllokut në 4 tetor të 2018-së, Santiago u shpall në kërkim policor, por pasi u mor në pyetje, u la i lirë, sepse nuk u gjetën prova se ai kishte qëlluar me armë.