Ernesto Che Guevara, ka vdekur para 5 dekadash. Ai u ekzekutua nga trupat qeveritare të Bolivisë në tetorin e vitit 1967. Por adhurohet ende sot nga miliona njerëz, si simbol i rebelimit ndaj sistemit dhe i luftës kundër pabarazisë. Imazhi i tij u mitizua nga intelektualë e njohur marksistë, si filozofi francez Jean Paul Sartre.
Ditarët personale, por edhe dëshmitë e bashkëkohësve, tregojnë fytyrën e vërtetë të Che. Atë të një vrasësi gjakftohtë, që përshkruante në detaje ekzekutimet që kryente apo urdhëronte. Guevara tallej shpesh me viktimat e tij përpara ekzekutimit. Siç e tregon edhe vetë, në një rast i premtoi një të dënuari faljen e jetës. “Ai më puthi dhe përqafoi si të isha babai i tij”- kujton Che.
Pak sekonda më vonë, u ekzekutua me të tjerët. Këto ishin ekzekutimet në xhungël gjatë revolucionit. Pas triumfit, ai drejtoi në burgun e Havanës ekzekutimin e qindra të burgosurve të tjerë. Në vetëm 6 muajt e parë, pati 180 të tilla. Che Guevara ngjitej në majë të një muri dhe nga aty kundronte ekzekutimet, duke pirë një puro havane.
Kështu e kujton Dariel Ramirez, një nga ish-shokët e tij. Ky gjest, ishte një mbështetje morale për ushtarët e togës së pushkatimit. Jose Vilasuso, një avokat kubanez që më vonë mërgoi në SHBA, kujton se në një rast Che Guevara e udhëzoi kështu “gjykatën”: “Mos zvarrisni asnjë proces. Ky është një revolucion, ndaj mos përdorni asnjë nga praktikat ligjore borgjeze. Provat janë për ne dytësore. Duhet të veprojmë vetëm sipas bindjes sonë!”./ TIRANA TODAY