Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka deklaruar se me braktisjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit nga populli, opozita ka fituar një status moral, me të cilin do të kërkojmë që ‘loja politike’ të fillojë nga fillimi.
“Ata që kanë thënë që procesin nuk do e lejojmë kanë bërë gabim, është gabim të thuash nuk do e lejojmë. Procesi moralisht ka rënë. Këta që janë kryebashkiakë sot janë disa njerëz të emëruar nga Edi Rama. Kemi rifituar një status moral, me të cilin ne pretendojmë se kjo lojë duhet të fillojë nga fillimi”, u shpreh Shehi.
I ftuar në emisionin ‘Top Talk’ në Top Channel, Shehi tha se opozita duhet t’u ofrojë shqiptarëve një platformë jo vetëm si dilet nga kjo krizë, por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes.
“A ka më shpresë ky vend? A mund të rikuperohen zullumet që i janë bërë këtij vendi? A ka shpresë që të hyjmë në Evropë?”, u shpreh Shehi.
I pyetur nëse opozita synon dobësimin apo rrëzimin e Ramës, Shehi tha: “Shiko, nëse do të ishte për t’u dobësuar, më dobët se kaq ky person nuk ka si të jetë. Me thënë të drejtën ne kemi luajtur rolin tonë, kemi denoncuar vjedhjet, kriminalizimin, duke filluar nga mushkonjat metalike, te policët e korruptuar, ministrat e korruptuar dhe deri te ngjarjet e fundit me kryebashkiakët…”
Ndërsa pyetjes nëse ka qenë vetë Rama që ka dobësuar pushtetin e tij, Shehi iu përgjigj: “Shërbimin më të madh për këtë dobësim, për këtë shkatërrim total të imazhit të Rilindjes e ka bërë vetë Rama. Po mos të ishte ky njeri kaq arrogant dhe kaq i korruptuar, përtej përpjekjeve tona nuk do të ndodhte ndonjë gjë e madhe”.
Ai deklaroi se me vendimin për të bojkotuar Parlamentin “u rifitua besimi ndaj kësaj opozite që ishte i lëkundur.”