Nga: Artan Fuga
Çfarë mund të bëjë,
çfarë nuk mund të bëjë ,
dhe çfarë nuk duhet të bëjë
Voltana Ademi në Shkodër!
——–
(sipas papagallit tim)
——-
Komisioni qendror i zgjedhjeve nëse nuk dëshiron të kridhet në një paligjshmëri që e nxjerr tërësisht situatën nga binarët e çdo ligji dhe të marrë pasoja shumë të rënda ligjore, duhet të nisi urgjentisht procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Shkodër.
Alibija se ndodhen me pushime nuk pi më ujë!
Jo vetëm për kryetarin e bashkisë Shkodër, por edhe për këshilltarët! Sepse në zgjedhjet lokale sipas frymës së ligjit zgjedhjet për kryetarin e bashkisë dhe për listën e këshilltarëve shkojnë parimisht bashkë. Këtë e vërtetojnë edhe rezultatet e trishta të votimeve sociologjikisht.
Votimi i kryetarit të bashkisë dhe i këshilltarëve janë dy procedura që infektojnë njera tjetrën reciprokisht. Nuk është fare rasti kur një kryetar pasi është zgjedhur nuk ka mundësi të ushtrojë detyrën dhe zëvendësohet duke ruajtur të njejtën strukturë konfiguracioni të këshillit bashkiak! Nuk e ha më këtë njeri!
Zonja Voltana Ademi nuk ka më shumë se dy mundësi ligjore për të përdorur.
Loja e yçit edhe për të përfundon këtu.
Ose do t’i quajë të ligjëshme zgjedhjet e 30 qershorit, dhe ka mandat edhe pak ditë e orë, dhe pastaj duhet të dorëzojë zyrën!
Ose, sikurse është shprehur, do ta quajë të ligjshme datën e 13 tetorit për zgjedhjet sipas dekretit presidencial të dytë dhe atëherë, po sipas fjalëve të saj, pas kësaj date, duhet të lirojë zyrën, duke hyrë në zgjedhjet e dekretuara ose duke u larguar nga zyra!
Pra, ajo nuk mundet tani në kushtet e reja të justifikohet ligjërisht duke thënë që do të qendrojë në detyrë derisa të zgjidhet kryetari i ri. Nuk mund të qëndrojë pa fund por vetëm brenda afateve juridike kalendarike që imponon e shumta data 13 tetor!
Ligja elektrorale nënkupton që mund të qëndrojë në detyrë, por ama ndërkohë që është faza tranzitore e periudhës nga data e mbarimit të mandatit të saj dhe përgjatë fushatës elektorale deri në emërimin e kryetarit të ri të bashkisë pas kësaj fushate.
Asnjë sekondë më tepër!
Vetëm nëse si datë merret data e dekretuar, ciladoqoftë ajo!
Pra, nëse nuk ka zgjedhje në 13 tetor, sakohë që ky është deritani vullneti presidencial, edhe zonja Voltana Ademi shëndrohet në kryetare të paligjshme dhe kështu edhe pozita e saj vështirësohet shumë.
Pra, ajo në këtë rast të padëshiruar do t’i ikte legalizmit që ka mbrojtur deri tani dhe pastaj bie si figurë politike që unë nuk ja uroj asnjë dekik! Sepse nuk e meriton!
Pra, ajo duhet qysh tani të kërkojë publikisht organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetar bashkie dhe këshilltarë bashkiakë në Shkodër, ose përndryshe pas pak javësh i duhet të japi dorëheqjen dhe të iki në punën e saj!
Ajo, po bëri lojën e partive politike në Tiranë, pra nëse ato qendrojnë në ngërç, e humbet të gjithë legjitimitetin juridik dhe moral që ka fituar me meritë, e humbet edhe në sytë e ndërkombëtarëve lëre më në sytë e popullit të Shkodrës!
Përndryshe edhe ajo merr kotënasikoti përgjegjësi për situatën shumë të rrezikshme ku është futur Shkodra, ky qytet i kulturës dhe i demokracisë shqiptare të thyer, ku si rezultat i vendit vakant të kryetarit, ose i një kryetari ose kryetareje të paligjshëm në një çast të caktuar, ose në një ngërç midis kryetarit të zgjedhur me një palë zgjedhje dhe këshillit bashkiak të zgjedhur në një palë zgjedhje të tjera, e gjithë situata mund të dali nga dora në mënyrë shumë të rrezikshme.
Askush nuk duhet të luajë me zjarrin!
Kërkohet përgjegjshmëri politike jo kalamallëqe dhe as çmendurira!
Qytetarët e Shkodrës meritojnë zgjedhje dhe jo t’i trajtojnë si turmë, si kope, duke ju mohuar konstituimin e një pushteti të ligjshëm lokal sikurse e meritojnë të gjithë popujt e qytetëruar!