“Jam i mendimit që rrethanat për këtë rast janë të pamjaftueshme për të çuar në shkarkimin e subjektit të rivlerësimit”, është ky përfundimi i përfaqësuesit të ONM, Ferdinando Buatier de Mongeot, për vendimin që çoi në shkarkimin e prokurores Antoneta Sevdari. Shkarkimi i kësaj të fundit është një nga vendimet më të diskutuara të KPA, ndërsa kundër tij duket se kanë qenë edhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Me anë të një raporti të datës 25 prill që disponon gazeta “Panorama”, përfaqësuesi i ONM, që ka asistuar në procesin ndaj Sevdarit, Ferdinando Buatier de Mongeot, në 11 faqe opinion, analizon vendimin e KPA-së. Duke bërë një analizë ligjit për rivlerësimin kalimtar, përfaqësuesi i ONM pretendon se Kolegji në rastin konkret, ka bërë një interpretim të gabuar të ligjit.
Në këtë analizë, ONM shkruan se ligji për rivlerësimin kalimtar nuk mund të interpretohet i vetëm, por duhet parë së bashku me parashikimet në Kushtetutë.
“Duke iu referuar ligjit, KPA ka vlerësuar drejt se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të justifikonte bindshëm burimet e të ardhurave të lidhura me pasurinë. Por po i njëjti ligj, ka një dispozitë, ku parashikon qartë sanksionin për këtë rast, por cakton edhe disa kushte të detyrueshme për t’u respektuar duke vendosur pragun e “dy herë” më shumë se pasuria e justifikuar nga të ardhurat e ligjshme. Duket e papërshtatshme të mos aplikohet një normë e tillë, në vend që të përdoret një interpretim i shtrirë në dëm të subjektit të rivlerësimit dhe i ashpër”, shkruhet në opinionin e ONM. /Panorama