Presidenti Meta ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook, pamjet nga ndalesa para shtatores së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit. Ai e quan atë mik e hero të Demokracisë dhe Pluralizmit në Shqipëri.
“Sa herë vij në Tropojë, nuk mund të mos ndaloj para shtatores së liderit të Lëvizjes Studentore dhe mikut tim të Dhjetorit ’90, Heroit të Demokracisë dhe Pluralizmit në Shqipëri, Azem Hajdari.
Ky respekt i sotëm ishte i dyfishtë, pasi nderimin e bëmë së bashku me mikun e madh të kombit shqiptar, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan, z.Eliot Engel”, shkruan Meta, bashkëngjitur disa fotove.
Më herët, kryetarja e grupit parlamentar të demokratëve, Rudina Hajdari, ka reaguar në lidhje me vizitën e kreut të Shtetit, Ilir Meta në qytetin e Tropojës. Deputetja ka denoncuar se është penguar të shkojë në Tropojë, “sepse kështu urdhëroi Partia”, duke u kërkuar kreut të shtetit dhe kryebashkiakut aktual, Besnik Dushajt, që të lënë një mesazh në bustin e të atit, Azemit.