Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ka komentuar zgjedhjet e 30 qershorit duke e quajtur procesin si ilegjitim pasi pjesës më të madhe të qytetarëve iu mohua e drejta për të zgjedhur.
E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Gjosha u shpreh se paqartësitë ligjore nëse duhej zhvilluar ose jo 30 qershori ia bënë më të vështirë OSBE/ODIHR-it të vazhdonte më tej me raportin.
“Ka shumë video, ka shumë denoncime për 30 qershorin. E kemi parë me sytë tanë. Kemi qenë të organizuar edhe në terren për të filmuar gjithçka vetë. OSBE/ODIHR ka shprehur gjithçka sa mund të shprehej në raportin paraprak. Glover e shpjegoi situatën e paprecedentë që kishte ndodhur. I gjithë procesi është ilegjitim, sepse iu është mohuar pjesës më të madhe të qytetarëve të zgjedhin. Mohim i drejtpërdrejt i bërë nga qeveria shqiptare. E dyta OSBE/ODIHR e kishte të vështirë të vazhdonte më tej për t’u shprehur sepse ka paqartësi ligjore, duhet të ishte zhvilluar apo jo 30 qershori”, deklaroi ish-ministrja e Integrimit.
Sa i përket konferencës së shtyp të Ilir Metës, ajo tha se fjalimi i tij ishte tejet i fortë dhe se e mbështet kauzën e tij.
“Nuk e di nëse qetësia do të ishte karakteristika më e mirë që mund të ndiqte çdo politikan apo institucion në kohët kur jetojmë. Vendi në udhëkryq të jashtëzakonshëm, njerëzit të shqetësuar se çfarë do të ndodhë. Shteti i kapur nga një grup individësh.
Patjetër ishte një fjalim i fortë. Ne jemi në mbështetje të plotë të kauzës së tij dhe mënyrës se si po vetëofrohet për zgjidhje”, u shpreh Gjosha.