Më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë tronditën regjimin komunist, duke u ngujuar në ambasadat e huaja në Tiranë, dhe dhënë mesazhin e qartë se nuk donin që të jetonin më në ferrin, që kishte ndërtuar për gjysmë shekulli për ta diktatura e proletariatit.
Të frymëzuar nga ngjarjet dramatike të një viti më parë në lindjen komuniste, nga rënia e Murit të Berlinit, vrasja e Nikolae Çuasheskut në Rumani, triumfi i revolucioneve demokratike në Poloni dhe Çekosllovaki, dhjetëra shqiptarë, kryesisht të rinj, u turrën drejt kufirit për t’u arratisur.
Shumë prej tyre ia dolën, por të tjerët u kapën, plagosën apo vranë nga rojet kufitare, që zbatonin ende ligjin, që e cilësonte largimin e fshehtë nga Shqipëria një tradhti kombëtare. Në këto kushte në Tiranë dhe jo vetëm u përhapën zërat, se nëse njerëzit futeshin në ambasada, këto të fundit nuk do t’i dorëzonin tek autoritetet.
Shqiptarët e parë, rreth 15-25 vetë hynë në ambasadën greke. Ndërkohë shumë të tjerë mësynë në ambasadat egjiptiane, italiane edhe franceze. Ambasadori gjerman në atë kohë Verner Daum, kujton se i kërkoi punonjësit të sigurisë së ambasadës ta linte të hapur derën e ambasadës, në mënyrë që kjo të vihej re nga njerëzit, dhe ata të fillonin të futeshin aty.
Pasi kjo u vu re kjo gjë, një kamion tip “Skoda” shembi murin rrethues të godinës së ambasadës, duke u futur brenda me një numër shtetasish shqiptarë që kërkonin azil politik. Ky akt, u përshëndet menjëherë nga qeveria e Bonit, e cila i konfirmoi mbështetjen ndaj azilkërkuesve shqiptarë. Ndërkohë Tirana reagoi ashpër, duke kërkuar dorëzimin e tyre.
Madje një moment qeveria e Ramiz Alisë, vendosi ta sulmonte ushtarakisht ambasadën gjermane si dhe ambasadat e tjera. Por ministri i Jashtëm, Reis Malile, kërcënoi se do të jepte dorëheqjen publikisht, dhe do t’i bënte publike të gjitha detajet. Me atë gjest, ai arriti të shmangë një masakër.
Në total ishin 4.785 shqiptarë, që u strehuan ato ditë në ambientet e ambasadave. Nga këta 3.172 ishin dyndur në ambasadën gjermane, 809 në atë italiane, 547 në atë franceze, 29 në atë greke etj. Katër mijë ishin nga Tirana, mbi 450 nga Durrësi, dhe pjesa tjetër thuajse nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.
1.509 prej tyre ishin të rinj, nxënës të shkollave 8-vjeçare e të mesme, ndërsa mbi 2 mijë ishin punëtorë të thjeshtë. Sigurimi i Shtetit, nisi të ushtronte presion ndaj familjarëve të tyre, duke i kërcënuar ata me burgime dhe internime, në mënyrë që t’i bindnin të ngujuarit të dilnin jashtë. Po pa rezultat.
Me pak përjashtime, shumica nuk pranoi t’i bindej regjimit. Ata donin të ishin më të fund të lirë në Perëndim. Për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, dërgoi një person të ngarkuar prej tij, që ndërmjetësoi mes ambasadave të huaja dhe qeverisë komuniste.
Për pasojë u bë i mundur dorëzimi i emrave të të gjithë shqiptarëve të future në ambasada, të cilët qeveria i përgatiti me shpejtësi me pasaporta të reja. Mbrëmjen e 13 korrik 1990, ata u përcollën me autobusë drejt Durrësit, dhe një traget i çoi fillimisht nga Durrësi në Itali.
Azilantët politikë, u shpërndanë sipas dëshirës në vende të ndryshme e Evropës, por edhe SHBA. Mjerisht, 29 vite më vonë, gati asnjë prej tyre nuk është rikthyer. Kjo pasi ëndrra “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, mbetet ende e papërmbushur.
Përkundrazi ata që ëndërrojnë sot Evropën, duhet të migrojnë sërish në Evropë, pasi pavarësisht arritjeve, Shqipëria ka ende shumë punë përpara për të pasur në të gjitha dimensionet, politike, ekonomike, sociale, mjedisore, “shijen” e një vendi evropian.
Këtë e dëshmojnë më së miri qindra mijëra shqiptarë, që kanë kërkuar dhe ende kërkojnë azil politik ne vendet e Bashkimit Evropian, duke përfituar nga udhëzimi pa viza që prej dhjetorit 2010. Të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat, tregojnë se 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të BE për periudhën 2011-2017. Ndërkohë deri në fundin e vitit 2018, numri në total mbërriti në 183 mijë aplikantë. Po gjatë viteve 2011-2017, nga Shqipëria ishin
larguar gjithsej 317 mijë persona.
Viti 2015, shënoi rekordin më të lartë të numrit të azilantëve shqiptarë, me 68 mijë e 900 aplikime. Përveç individëve që kanë aplikuar për azil, dhe që shpesh u refuzohet, është rritur edhe numri i të larguarve me kontrata pune drejt Gjermanisë. Aktualisht Gjermania, është një destinacion i preferuar për profesionet e mjekëve dhe infermierëve.
Vendi i dytë me numrin më të lartë të azilantëve është Franca, me rreth 40.6 mijë aplikime, ose 24 për qind. Vitet e fundit, Franca zë vendin e parë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga shqiptarët, duke qenë se Gjermania po ndjek politika më shtrënguese për pranimin e azilantëve shqiptarë, duke i dhënë prioritet aplikimeve nga ata që largohen nga konfliktet e armatosura, siç është ai në Siri.
Dukuria e azilantëve, mbetet një shqetësim i madh dhe për vit. Sipas Eurostat, 26 për qind më shumë shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian, gjatë
3 muajve të parë të 2019-s. Problemet ekonomike, thellimi i pabarazive sociale, pagat e ulëta, tensionet e shpeshta politike, janë arsyet kryesore që nxisin shumë shqiptarë të shkojnë në Perëndim jo si turistë, por si emigrantë.
Një sondazh i kohëve të fundit, tregon se shumica e të rinjve, mbi 60 për qind, e sheh të ardhmen jashtë vendit. Kjo është ndër përqindjet më të larta në botë. Hallet i detyrojnë shqiptarët të mos u ndahen radhëve:deri dje para ambasadave të huaja këtu në Tiranë për të marrë një vizë, sot në kampet e azilantëve, me shpresën e një përgjigjeje pozitive. Ky është sigurisht një dështim i shoqërisë shqiptare, por kryesisht i klasës së saj politike./ Tirana Today