Kryeministri Edi Rama ka folur nga foltorja e Kuvendit këtë të enjte për incidentet që kanë ndodhur këto ditë në ambientet e KZAZ-së në bashkitë e djathta.
Rama e konsideroi të trishtueshme faktin se si nëpunësit dhe Policia Bashkiake përdoren nga opozita jo parlamentare, ndërsa theksoi se ata po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin.
Po ashtu, Rama reagoi dhe në lidhje me letrën e publikuar nga presidenti Meta për situatën në burgje. Sipas Ramës, nëse Meta është me të vërtetë i shqetësuar për gjendjen në këto institucione, nuk duhet ta kishte publikuar, por duhej t’ua paraqiste ministrave përkatës.
Deklarata e Ramës:
Pjesa më e trishtueshme është pjesa e Policëve Bashkiakë, nëpunës që po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin. Janë në shkelje flagrante me ligjin. Jeta vazhdon edhe pas 30 qershorit, dhe 30 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ajo që na takon është çka i takon kujtdo që është me të drejtë, që jemi të vendosur dhe jemi të vetëpërmbajtur.
Historia ka treguar se asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së dhe fatkeqësisht ky është dhe rezultati i përfshirjes skandaloze të atij që sot është në zyrën e presidentit, por që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyre.
Para dy vitesh morën informacione se disa njerëz që mund të identifikohen lehtësisht se me kë janë të lidhur, me katërshen që i janë kundërvënë zgjedhjeve, kanë komunikuar me persona në burgje duke i nxitur që të marrin në dorë pjesën e tyre të revolucionit, dhe direkt pas këtij informacione, del letra e presidentit Meta për situatën nëpër burgje.
Nëse presidenti është i shqetësuar për situatën në burgje, minimalisht, nuk duhet ta publikonte letrën. Nuk ka asnjë tagër ai që ti drejtohet të tjerëve, përveç ministrave përkatës. Ajo që është për t’u përsëritur është se Policia e Shtetit është zhvendosur në një trysni të pazakontë, pavarësisht se çdo kush i revoltuar mund të kërkojë masa shumë më të ashpra.