Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Kosovë, ku një familje është detyruar të dalë jashtë banesës për shkak të numrit të madh të gjarpërinjve që kanë hyrë brenda.
Tetë anëtarët e familjes Ahmeti nga fshati Resinoc i Komunës së Lipjanit, kanë 3 ditë që po qëndrojnë në oborrin e banesës, pasi ndihen të pasigurt nga një grumbull gjarpërinjsh që ka hyrë në shtëpinë e tyre, raporton media kosovare KTV.
Kryefamiljari Përparim Ahmeti, thotë se nata e së enjtes për të ka qenë ndër më të vështirat, pasi gjatë kohës që ka qenë në gjumë, një gjarpër i kishte mbështjellë këmbën.
“Kur jemi zgjuar në mëngjes, kemi gjetur gjarprin poshtë këmbëve, e kapa edhe atë edhe e mbyta… në atë moment një gjarpër tjetër lëshohet poshtë nga tavani, edhe atë e mbyta”, shprehet Përparim Ahmeti.
Ai thotë se së paku 30 prej tyre i ka mbytur vetë, prandaj edhe ka kërkuar ndihmë nga Komuna e Lipjanit. Ata tregojnë se Ekipi për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Lipjanit dhe Policia, i kanë vizituar, por ende nuk u kanë ofruar zgjidhje.
Ndërkohë zëdhënësi për Komunën e Lipjanit, Diamant Bytyqi është shprehur për KTV se familjes i është siguruar një banesë për t’u sistemuar, por ata nuk kanë pranuar të largohen ndërsa familjarëve u janë dërguar ushqimet e nevojshme derisa kësaj situate t’i jepet një zgjidhje:
“Komuna e ka trajnuar si rast urgjent dhe menjëherë kemi siguruar një vendbanim të përkohshëm për të strehuar familjen. Mirëpo familja ka preferuar që të qëndrojë te fqinjët, andaj jemi obliguar t’i sigurojmë ushqimin e nevojshëm për familjarët, për disa ditë, derisa të bëhet një zgjidhje permanente për këtë familje.”
Ndërkohë Komuna e Lipjanit është shprehur se të hënën do ta vizitojnë sërish këtë familje dhe do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për t’i ofruar zgjidhje.