Pas lajmit tragjik ku 3 fëmijë humbën jetën në lumin Ibër pas ndjekjes nga popullata serbe në veri të Mitrovicës, vëmendja u zhvendos nga aktualiteti politik dhe protestat në Shqipëri. Pas kësaj ngjarje në Kosovë shpërthyen protestat masive, pjesa më e madhe e të cilave ishin të dhunshme, duke degjeneruar deri në djegien e objekteve të kultit, kryesisht kishat.
Protestat u shtrinë edhe në Serbi ku edhe atje u dogjën objekte kulti. Lidhur me situatën lideri i opozitës në atë kohë, Sali Berisha i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan më datë 18 Mars 2004, i cilësoi si dramatike zhvillimet në Kosovë, ndërkohë që shtoi se situata në atë kohë ishte e vështirë edhe për rajonin.
“Zhvillimet në Kosovë janë dramatike, janë ditë zie, tragjike për Kosovën, por edhe ditë të vështira për rajonin. Natyrisht vendet e rajonit janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe duke pasur si qëllim paqen dhe stabilitetin, çdo destabilizim i njërit prej tyre ka efekte në rajon. Në rastin konkret Shqipëria dhe shqiptarët për arsye të njohura janë të tronditur. Por së pari unë dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve të fëmijëve të mbytur dhe të gjithë viktimave, numri i të cilëve po rritet gjithnjë e më shumë. Iu bëj thirrje qytetarëve të Kosovës të ndërpresin çdo akt dhune, protesta paqësore me atë të dhunshme janë të kundërta. Kosova si vendi i fundit në Evropë që u bë i lirë mbart me vete probleme të mëdha dhe arritje të mëdha. Nga analizat që kam bërë unë nuk gjej motiv që të justifikoj atë që po ndodh këto ditë në Kosovë. Autoritetet e Kosovës kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm në drejtim të vendosjes së shtetit ligjor, por nuk kanë arritur të vendosin autoritet në gjithë territorin. Ka një problem madhor me procesin e reformave në Kosovë. Me gjithë përpjekiet dhe arritjet, reformat në Kosovë në disa aspekte janë mjaft mbrapa. Thelbi i reformave është nëse kanë bërë progres në reformën legjislative. Progresi është minimal në reformën ekonomike”, tha Berisha.
*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së televizionit Klan për vitet 1998-2012