Në takimin e zhvilluar sot në qytetin e Laçit, kryeministri Rama shpalli Majlinda Carën si kandidaten e PS-së në garën për kryetar bashkie.
Gjatë fjalës së mbajtur, Rama nuk kurseu as ironitë për djemtë laçianë të cilët jetojnë jashtë duke u thënë se: “Italinë e keni si shtëpinë tuaj, mos e mbyllni atë derë për kasollen e Lulit”.
Më tej kryeministri vijon duke u bërë thirrje të rinjve të mos u bashkohen opozitarëve në nismën e tyre duke ironizuar kështu edhe kreun e opozitës Basha si “një person që ka frikë nga zgjedhjet”.
“Çunat e Laçit, Italinë e keni si shtëpinë tuaj, mos e mbyllni atë derë për kasollen e Lulit. Nuk e di ku do i gjejë opozita aq shumë budallenj që t’i bijnë me kokë kutive për llogari të Saliut. Saliut ja kanë vënë vizën. Si mund t’i shkosh mbrapa Lulit, një njeriu që ka frikë nga zgjedhjet.”
Për sa i përket kandidaturës së Carajt për qarkun e Kurbinit, Edi Rama u shpreh për banorët se: “Më vjen mirë që ju erdhi radha të votoni një grua”.