Kompania “Shell Upstream Albania” tha se testimet e para në pusin “Shpirag-4” në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë.
Sipas Kompanisë potenciali është prej disa mijëra fuçive nafte në ditë. Kompania tha se “zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbivendosur në Shqipëri”.
“Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri” , tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Kompanisë “Shell” për Eksplorimin.”
Hapi i testimit vlerësues në pusin Shpirag-4 pason një marrëveshje që qeveria shqiptare dhe Kompania Shell nënshruar shkurtin e vitit 2018 për zgjerimin e kërkimeve për naftë në këtë zonë. “Shell” kishte kryer më parë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve 2 dhe 3 me pritshmëri për rezerva nafte.
Sipas kompanisë Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu do të përcaktohet më tej, përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese. Vendburimi i Shpiragut në afërsi të Beratit u konfirmua në vitin 2013 nga vlerësimi në pusin “Shpirag-2” i cili dëshmoi rezerva nafte të lehtë.
Ndërkohë Kompania “Shell Upstream Albania” njoftoi fundvitin e shkuar edhe një program vrojtimi sizmik për kërkime hidrokarburesh në zonën jugore të Shqipërisë në kufi me Greqinë. Programi, në kuadër të Bllokut 4 përfshin një mjedis të pasur me vlera të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë që shtrihen në Qarkun e Gjirokastrës dhe ngjalli ndjeshmërinë e banorëve të këtyre zonave.
Kompania publikoi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ndikimin social dhe në shëndet duke njoftuar edhe dëgjesat e para me komunitetet vendore. Pas reagimit të banorëve kompania tha se nuk do të kryente shpime në zonë e mbrojtur të Parkut Kombëtar Natyror të Zagorisë./DW