Shumë shpejt do të duhet të paguani taksa për akse të ndryshme rrugore. Mësohet se veç autostradës Tiranë-Durrës, qeveria ka në plan të japë me koncesion edhe disa akse të tjera, një pjesë e të cilave ende të papërfunduara.
Konkretisht, qeveria do japë me koncesion akset Tiranë-Elbasan, Rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Durrës-Fier, Levan-Tepelenë, Elbasan- Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit.
Plani për taksimin e tyre ka nisur që në vitin 2016, nga BERZH dhe tarifa për të kaluar në këto rrugë parashikohet të variojë nga 1 deri në 2.6 euro. Aktualisht në Rrugën e Kombit aplikohet taksa 5 euro për çdo kalim, ndërsa të favorizuar janë vetëm banorët e zonës, të cilët paguajnë një tarifë 1 mijë lekë.
Rruga e Arbrit pritet të ketë edhe tarifën më të lartë pas Rrugës së Kombit, kjo pasi në përcaktimin e vlerës që do të ketë taksa, do të merren në konsideratë edhe vështirësitë teknike si edhe gjatësia e tuneleve.