Nga: Alfred Peza
Protesta e sotme e paralajmëruar nga opozita jonë jashtparlamentare, është pasqyra më e mirë, ku gjithkush mund të shohë që të ndeshen live e përballë njëra tjetrës, dy kultura. Dy qytetërime. Dy filozofi. Dy rrugë. Dy qasje dhe dy anë krejt të kundërta me njëra tjetrën.
E nëse ka qoftë edhe një fije të vetme të vërtete, në gjithë diskurin e liderit të opozitës shqiptare Lulzim Basha për këtë situatë, ajo lidhet me thënien e tij se zhvillimet e ditëve të fundit e kanë ndarë shoqërinë shqiptare në dy pjesë, si me thikë.
Po. Kjo është e vërtetë.
Sepse nga sot e tutje, për fatin tonë të mirë apo të keq, kemi përballë njëra tjetrës dy botë.
Kemi botën e zgjidhjes së problemeve në rrugë institucionale dhe botën e zgjidhjes së tyre në rrugë jashtinstiticionale.
Kemi botën e dorës së shtrirë të dialogut në institucione dhe botën e marrëveshjeve okulte jashtë institucioneve.
Kemi botën e rrugës ligjore dhe botën e rrugës antiligjore.
Kemi botën e rrugës kushtetutese dhe botën e rrugës antikushtetuese.
Kemi botën e adresimit dhe zgjidhjes së të gjitha problemeve dhe halleve të këtij vendi brenda sistemit parlamentar, politik e demokratik dhe atë të daljes për ti kërkuar e gjetur ato, jashtë këtij sistemi.
Kemi botën e dhunës dhe botën e antidhunës.
Kemi botën e shkatërrimit dhe botën e ndërtimit.
Kemi botën e sistemit të ri të drejtësisë dhe botën e vjetër të kulturës së pandëshkueshmërisë.
Kemi botën e legjitimitetit politik nëpërmjet proceseve elektorale dhe botën e fitores së pushtetit me çdo çmim e me çdo mjet, në tavolinë.
Kemi botën që kërkon integrimin europian të vendit nëpërmjet normalitetit dhe botën e anormalitetit me sjellje neotomane “dumbabiste”.
Kemi botën që i bën të gjitha detyrat e shtëpisë përpara Brukselit dhe një botë tjetër që di të thotë veç me gojë: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Por që vepron si në stadin e demokracive parapolitike të botës së tretë.
Kemi botën që kërkon ndjesë për 4 shkopa gome të një incidenti të gabuar dhe një botë që pasi vret 4 protestues të pafajshëm në mes të bulevardit, vazhdon dhe hakërrehet se u bë pishman që nuk vrau edhe më shumë.
Kemi botën që vendosen paqen e dëshiruar me median e gazetarët dhe botën që pasi i dogji, i torturoi dhe i burgosi, akuzon sot kundërshtarin për të gjitha të zezat që i bëri vetë dje.
Qoftë edhe për kaq, si për shumë e shumë gjëra të tjera, le të bëhet kjo protestë sot, ashtu si edhe zgjedhjet më 30 qershor. Sepse pas 30 vjetësh zvarritje të këtij populli e të këtij vendi, është momenti ku gjithkush ti shohi qartë të ekspozuara me ngjyra dhe sinjal super HD, të dyja botët shqiptare. Për të qenë i lirë pas kësaj, që të zgjedhi me vullnetin e tij, se kujt prej këtyre dy botëve i përket dhe kë prej tyre dëshiron në këtë vend për 30 vitet e ardhshme për fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij.