Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot anikimimin e depozituar nga Partia Bashkimi Demokrat për regjistrimin në zgjedhje të ‘Bindjes Demokratike’, pasi e ka konsideruar në përputhje me ligjin regjistrimin e saj.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar Astrit Patozi, i cili thotë se Bindja Demokratike ka fituar betejën e parë politike.
Përmes një statusi në “Facebook”, Patozi shkruan se BD “kapërceu sot stërkëmbëshin e fundit të atyre, që i trembeshin më shumë pranisë së saj”.
Ndërsa shpreh keqardhje për të gjithë ata që, sipas tij u përpoqën të pengonin të drejtën për t’u ofruar shqiptarëve një “projekt të ri politik”.
Partisë Bashkimi Demokrat kërkonte çregjistrimin e Bindjes Demokratike me argumentin se është shkelur ligji me urdhër politik. Ndërkohë, me këtë vendim, Partia Bindje Demokratike do të garojë zyrtarisht në zgjedhjet e 30 qershorit.
Postimi i plotë i Patozit:
BINDJA DEMOKRATIKE FITON BETEJËN E PARË POLITIKE
(Pas rrëzimit të padisë absurde për çregjistrimin e partisë sonë nga gara për zgjedhjet e 30 qershorit)
BINDJA DEMOKRATIKE kapërceu sot edhe stërkëmbëshin e fundit të atyre, që i trembeshin më shumë pranisë së saj, se sa mungesës së tyre në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Tanimë, jemi tërësisht të fokusuar tek gara për të treguar se jemi realisht fryma e re dhe shpresa e vetme për ndryshim në këtë vend.
Keqardhje për ata që u përpoqën më kot të na pengonin në të drejtën tonë për t’u ofruar shqiptarëve një projekt të ri politik, krejtësisht të ndryshëm nga “Rilindja” e korruptuar dhe nga opozita e dëshpëruar, e cila paralajmëron përplasje civile për të mbuluar vetëvrasjen e vet politike.
BINDJA DEMOKRATIKE po vjen si ortek vullnetesh shpërthyese shqiptarësh të lirë, të cilët nuk e kanë humbur besimin se ky vend mund të bëhet prej nesh vetë.
Zoti e bekoftë BINDJEN e qeverive dhe të politikanëve ndaj popullit!