Përfaqësuesja e lartë për politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini, ka përshëndetur qeverinë shqiptare sa i përket implementimit të reformës në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe reduktimin e lëndëve narkotike. Shefja e diplomacisë i bëri thirrje opozitës të mos i kthejë shpinën rolit të saj për integrimin. Ndër të tjera ajo vuri në dukje rezultatet me reformat, ndërsa inkurajoi palët që të lënë pas ndasitë.
“Objektivi i çeljes së negociatave është i arritshëm, por i vështirë, pasi duhen bindur opinionet e vendeve anëtare që të njohin rezultatet tuaja.
Ndaj, inkurajoj të gjithë në Shqipëri që të vazhdojnë të japin kontributin. Përpjekja kolektive kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara për integrimin evropian, dhe duhen lënë mënjanë ndasitë.
BE-ja e ka përsëritur qëndrimin e saj: partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre, dhe qytetarët nuk duhen privuar nga zgjedhja e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është mesazh nga të gjitha institucionet e BE-së.
Keni treguar rezultate me reformat, dhe puna që po bëjmë ne në Komisionin Europian do ta tregojë qartë progresin tuaj.
Ju e dini që unë personalisht dhe në kapacitetin tim institucional, i kam dhënë mesazhet pozitive. Kjo do të reflektohet në paketën e KE-së që do të miratohet në fund të muajit, dhe pastaj topi do të kalojë te vendet anëtare”, deklaroi Mogherini.