Mbrëmjen e djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në ‘Abc News’ se nuk ka asnjë grup parlamentar të Partisë Demokratike në Parlament. “Nuk ekziston asnjë grup parlamentar i PD në Parlament. PD është një parti me një statut neni i të cilës nxjerr jashtë partive ata që nuk zbatojnë vendimet. Ata përjashtohen vetvetiu. Për mua, liria është zgjedhje”.
Në kundërpërgjigje të kësaj deklarate, deputetja demokrate Rudina Hajdari informon se Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Rudina Hajdari u sulmua nga eksponentë të Partisë Demokratike, pas krijimit të grupit parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë. Si kryetare e grupit demokrat në Parlament, Hajdari sqaron se nuk ishte ajo dhe Murrizi, që u larguan nga Partia Demokratike, por ishte kjo parti që vendosi njëkohësisht të ndërpresë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD. Vajza e Azem Hajdarit vendos edhe objektivat e grupit të ri parlamentar nën drejtimin e saj.
Statusi
“Grupi Parlamentar Demokrat” është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Sikurse unë ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike me vendimin për “dorëzimin në bllok të mandateve” vendosi njëkohësisht të ndërprejë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD.
Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se: “2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.
Ndaj nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD(dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar.
Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:
-
- Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).
- Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.
- Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.